Dyshime në qeverisjen e VV-së, kandidatët u punësuan para hapjes së konkursit

Komuna e udhëhequr nga Mytaher Haskuka fillimisht i ka përzgjedhur kandidatët e më pas e ka hapur konkursin për të njëjtat pozita.

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se dy persona janë punësuar sipas kësaj formule: njëherë punësimi e pastaj konkursi.

“Kemi identifikuar se rekomandimi për pranimin e mësimdhënësit në punë nga komisioni vlerësues është bërë me datë 17.08.2018 derisa konkursi mbante datën 02.10.2018, pra rekomandimi për pranim është bërë para konkursit”, thuhet në konstatimet e Auditorit të Përgjithshëm.

Për më tepër, mësimdhënësit të punësuar në shkollën fillore “Atmaxha” në dosje i mungon dëshmia e kërkuar për trajnime profesionale.

Ky nuk ishte rasti i vetëm, pasi në të njëjtën mënyrë ishte punësuar edhe një mësimdhënëse në Shkollën Fillore “Ibrahim Fehmiu”.

“Në këtë rast kemi identifikuar se edhe rekomandimi për pranimin në punë nga komisioni vlerësues (me datë 17.08.2018) ishte bërë para përfundimit të testit me shkrime (i mbajtur me datën 04/9/2018) dhe intervistës (organizuar me datën 27/9/2018)”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm pas auditimit të Pasqyrave Financiare të Komunës së Prizrenit për vitin 2018.

Madje, Auditori ka gjetur se testi me shkrim i kandidatit të pranuar në punë nuk ishte nënshkruar nga komisioni vlerësues.

E në rastet tjera, Komuna e Prizrenit i ka mbajtur të fshehur konkurset e shpallura për mësimdhënës.

“Në dy raste, dhe atë; Për punësimin e një mësimdhënësi sipas konkursit nr. 2719/2018 të datës 02.10.2018 në shkollën fillore “Atmaxha” dhe shkollën “A. Frashri” konkursi nr. 2613/2018 për pranimin e një profesorit të gjuhës gjermane, kemi identifikuar se nuk ka thirrje publike në gazetë”, gjen Auditori.

Sipas Ligjit të Punës, Neni 8, Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës. Konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar, pa asnjë lloj diskriminimi, ashtu siç parashihet me këtë ligj dhe aktet tjera në fuqi.

Prania e parregullsive në procesin e rekrutimit, sipas Auditorit mund të rezultojnë në konkurrencë të padrejtë si dhe mos punësim të personelit adekuat.

Kreut të Komunës iu rekomandua t’i marr veprimet e nevojshme për procesin e punësimit

“Kryetari duhet të sigurojë se janë ndërmarrë veprime të menjëhershme për ta shqyrtuar këtë proces të punësimit, si dhe të sigurojë kontrolle efektive në mënyrë që proceset e rekrutimit të bëhen në përputhje të plotë me kërkesat e ligjit të punës”, thotë rekomandimi i raportit.

Përmes letër konfirmimit, kryetari i Komunës Mytaher Haskuka, konfirmon se e ka pranuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2018-të, të Komunës së Prizrenit.

Me anë të kësaj letre, komuna pajtohet më këto të gjetura duke mos komentuar ato.

“Pajtohem me të gjeturat dhe rekomandimet dhe nuk kam ndonjë koment për përmbajtjen e raportit…”, thuhet në mes tjerash në letrën konfirmuese.