Ilustrim: Poqi elektrik

Qeveria zgjedh kryeshefin e Agjencisë për Eficiencë të Energjisë

Arsim Kuliqi është emëruar kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë nga qeveria e Kosovës. Ai është zgjedhur nga qeveria e Kosovës, vetëm pas një vendimi të Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës i cili e ka obliguar Ministrin e Administratës Publike që t’i procedojë në qeveri emrat që i kishin plotësuar kriteret e konkursit.

Emërimi është bërë me gjashtë muaj vonesë, pasi komisioni vlerësues me datën 9 korrik e kishte përfunduar listën e ngushtë prej katër kandidatëve.

Kandidati Sabit Gashi ishte poentuar me 419 pikë, ndërsa Arsim Kuliqi me 417 pikë. Enis Berisha ishte poentuar me 264 pikë.

Pas publikimit të rezultateve, Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes një shkrese dërguar MAP-it, e cila i kishte zhvilluar procedurat, kishte thënë se profili profesionale i kandidatëve që kanë hyrë në listën e ngushtë: nuk përkon me kërkesat dhe detyrat që duhet tu mbulojë Kryeshefi i AKEE-së.

Njëra prej pikave që Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka kontestuar është mos njohja e gjuhës angleze nga kandidatët e suksesshëm.

“Pas shqyrtimit të kujdesshëm, së bashku me kabinetin tim të profilit profesional të kandidatëve të rekomanduar nga ana e Komisionit Për vlerësimin e Kritereve për kandidat të suksesshëm, mbajmë mendimin  se profili profesional i të njëjtëve nuk përkon me kërkesat dhe detyrat që duhet ti mbuloj kryeshefi i AKEE-së, kjo, port u kufizuar në kualifikimet profesionale, përvojën e punës dhe shkathtësitë, me theks ato të linguistike-marrë në konsideratë se nga biografia nuk reflekton se kanë njohje të shkëlqyeshme të gjuhës angleze”, thuhet të emailin që ministria e ekonomisë i ka dërguar në ministrinë e Administratës Publike.

Pas kësaj shkrese, MAP-i e kishte anuluar konkursin.

Kandidati Sabit Gashi ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Agjencionit për Shërbim Civil për të kundërshtuar mënyrën se si ministri i zhvillimit ekonomik e ka anuluar këtë konkurs.

Mirëpo kolegji për shqyrtimin e kësaj ankese i përbërë nga, Eshref Shabani kryetarë, Hajzer dhe Shkëmb Manaj antarë, si dhe Valentina Kaçandolli Bekteshi, zyrtare e lartë për bashkëpunim profesional e kanë miratuar pretendimin ankimor të Sabit Gashit në të cilin tregohet se ministria e Zhvillimit Ekonomik ka shkelur ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës si dhe Rregulloren për Procedurat e Emërimit në Pozita të Larta Drejtuese.

Tutje ata kanë thënë se ministri i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka, nuk ka kompetencë për vlerësimin e aftësive të kandidatëve sepse me këtë merret Komisioni për Vlerësim të Kritereve.

“Ky kolegj ka konstatuar se sipas konkursit të datës 16.04.2018 njohja e ndonjë gjuhe nuk ka qenë obligative, rrjedhimisht arsyetimi i nxjerrjes së vendimit për mosrekomandimit të asnjërit nga tre kandidatët nga ana e ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik është I pabazuar në ligj sepse ministri nuk ka kompetencë që të vlerësoj përgatitjen profesionale dhe atë të përvojës së punës së kandidatëve të rekomanduar” thuhet në vlerësimin e Këshillit të Mbikëqyrjes për Shërbim Civil të Kosovës.

Me këtë rast ky kolegj ka obliguar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që ti rekomandoj qeverisë emërimin e njërit prej kandidatëve të propozuar nga Komisioni për Vlerësimin e Kritereve.