Kabineti qeveritar në largim ka miratuar sot vendimin që të shqyrtohen kërkesat për shpronësim për zonat kadastrale Hade dhe Shipitullë. Shpronësimi i këtyre pronave bëhet me qëllim që t’i mundësohet KEK-ut të vazhdojë operimin e mihjes, përkatësisht nxjerrjen e qymyrit për qëllim të prodhimit të energjisë elektrike.

Zvarritja e shpronësimit të këtyre pronave ka qenë njëra prej arsyeve që Nisma për Kosovë kishte përmendur në mocionin për rrëzim të qeverisë së Kosovës, i cili ishte votuar edhe nga deputetet e PDK-së.

Kryeministri në largim Isa Mustafa tha se shpronësimi i këtyre pronave është është më shumë se emergjente. Ai madje tha se nëpër këtë zonë ka shumë shtëpi të pabanueshme.

“Çështjet ligjore duhet të zgjidhen nga ata që merren me drejtësi”, tha ai.

Mustafa tha se Korporata Energjetike e Kosovës do të detyrohet të ndërpresë prodhimin e energjisë elektrike nëse nuk ndodh shpronësimi i pronave në fshatin Hade dhe Shipitull. Kjo për faktin se  shpronësimi në këto dy fshatra po pengon realizimin e projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevojat e KEK-ut

Zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mendim Rugova paraqiti propozim vendim për shpronësim e pronave në Hade dhe Shipitull me arsyetim se janë plotësuar kushtet ligjore

Jeta në Kosovë kishte bërë një hulumtim për zvarritjen e shpronësimeve në Hade.