Nga një mbledhje e Qeverisë - Foto: ZKM

Qeveria Shtyn Nisjen e Mbledhjes së Premiumeve

Qeveria në detyrë në mbledhjen e sotme ka shtyrë nisjen e mbledhjes së premiumeve për sigurimet shëndetësore.

Premiumet janë një shumë mjetesh materiale e përcaktuar për të blerë policat e sigurimeve për individë dhe institucione.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Imet Rrahmani kërkoi shtyrjen e nisjes së mbledhjes së premiumeve derisa plani i veprimit për to të jetë i gatshëm.

Shtyrjen e kërkoi edhe Kryeministri në detyrë Isa Mustafa që tha se data për mbledhjen e premiumeve duhet të caktohet nga Kuvendi i ri që do të krijohet pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Qeveria pastaj miratoi shtyrjen e datës së mbledhjes së premiumeve, pa e përcaktuar një datë të re për nisjen e këtij procesi.

Shtyrjen e nisjes së mbledhjes së premiumeve e kishte kërkuar edhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

http://kallxo.com/prak-10-arsye-perse-sigurimet-shendetesore-nuk-jane-gati/

KALLXO.com ka raportuar disa herë për çështjen e sigurimeve shëndetësore.

Vitin e kaluar ministri në largim i Shëndetësisë Imet Rrahmani pati premtuar se premiumet do të fillojnë të mblidhen në janar të këtij viti, por më pas kjo datë u shty për 1 korrik.

Deklaratat e Rrahmanit për premiumet u vlerësuan si gënjeshtra nga krypometri, produkti i KALLXO.com që mat vërtetësinë e fjalëve të thëna publikisht nga zyrtarët.

Rrenat për Sigurimet Shëndetësore