Qeveria reagon për humbjen e mbështetjes së Bankës Botërore për TC ‘Kosova e Re’

Qeveria e Kosovës reagoi ndaj lajmit se Banka Botërore nuk do të mbështes ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë ‘Kosova e Re.

Sipas qeverisë  projekti për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ do të finalizohet sepse është e vetmja zgjidhje për të arritur sigurinë e furnizimit me energji, që direkt ndikon në sigurinë nacionale të vendit.   

“Sipas planifikimeve, ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” nis në pjesën e parë të vitit të ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Në njoftimin e MZhE-së thuhet që projekti për termocentralin ‘Kosova e Re’ ka mbështetje të madhe dhe të pakursyer të partnerëve strategjikë ndërkombëtarë.

“Një ndër projektet më të rëndësishme të Kosovës është Termocentrali “Kosova e Re”. “Kosova e Re” do të finalizohet sepse është e vetmja zgjidhje për të arritur sigurinë e furnizimit me energji, që direkt ndikon në sigurinë nacionale të vendit. Në të njëjtën kohë ne po vazhdojmë me avancimin e projekteve alternative nga burimet e ripërtëritshme, por nuk mund dhe as nuk guxojmë të eksperimentojmë me sigurinë e vendit”, thuhet në njoftim.

Ky reagim ka ardhur pas deklaratës së presidentit të Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim, i cili dje ka thënë që Banka Botërore nuk do ta mbështesë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë.

“Po, ne kemi një qëndrim të fortë që të mos shkojmë përpara me termocentrale me qymyr sepse na është kërkuar nga biologët tanë që të shkojmë me opsionin me koston më të ulët dhe energjia e ripërtëritshme tani vjen poshtë kostos së qymyrit. Pra, pa asnjë dilemë, nuk do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Kim.

Kim shpalosi qëndrimin e Bankës Botërore rreth termocentralit 1.3 miliardë euro kur u pyet prej Visar Azemit, drejtorit ekzekutiv i “Balkan Green Foundation” në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po zhvillohen në Bali të Indonezisë.

“Siç e dini, Ballkani është duke u varur nga energjia fosile. Shtetet garojnë me njëra tjetrën se kush do ta dominojë sektorin e energjisë në rajon duke ndërtuar më shumë termocentrale. Në njërin nga projektet është angazhuar personalisht Banka Botërore në Kosovë, por sot dëgjuam nga drejtori juaj për klimën që ky projekt nuk është më në tavolinë për Bankën Botërore dhe ne do të donim të merrnim një konfirmim nga ju”, ishte pyetje e Azemit kundrejt Kim.

Në njoftimin e MZhE-së thuhet që Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që t’i ndjekë dhe realizojë politikat e saj zhvillimore dhe ekonomike. 

“Duke u bazuar në Strategjinë e Energjisë së Kosovës 2017-2026, si dhe në Strategjinë e Zhvillimit Kombëtar, Kosova ka nevojë për kapacitete të reja gjeneruese të energjisë elektrike. Andaj, ne jemi të obliguar që t’i realizojmë dhe materializojmë strategjitë e vendit tonë për t’i ofruar vendit, ekonomisë dhe popullit të Kosovës prosperitet dhe siguri në të gjitha fushat”, vazhdon njoftimi.

Aty thuhet se termocentrale të tilla me kapacitete edhe më të mëdha se Kosova e Re sot operojnë, apo edhe janë në fazë të projektimit ose ndërtimit në shumë vende të BE-së, siç është Gjermania, Çekia, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Polonia, Rumania, Bullgaria. 

“Edhe fqinjët tanë, Serbia Mali i Zi, dhe Bosnje e Hercegovinën, po ndërtojnë termocentrale nga linjiti”, vazhdon njoftimi. 

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dje ka thënë se investitori ‘Contour Global’ është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të TC ‘Kosova e Re’ nga burime të ndryshme siç janë agjencitë eksportuese shtetërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

“Contour Global është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të këtij projekti nga burime të ndryshme siç janë agjencitë eksportuese shtetërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare”, ka thënë Lluka.

Reagon ministri Lluka pas tërheqjes së Bankës Botërore nga financimi i TC ‘Kosova e Re’

Investitori ‘Contour Global’ ka reaguar pas deklaratës për tërheqjen nga financimi i TC ‘Kosova e Re’ të presidentit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim në takimin me shoqërinë civile në Bali të Indonezisë.

Themeluesi i ‘Contour Global’, Joseph Brandt ka përsëritur angazhimin e tyre në projektin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Brandt ka deklaruar se Banka Botërore nuk është e rëndësishme për përfundimin e suksesshëm të termocentralit ‘Kosova e Re’.

“Roli i Bankës kurrë nuk do të sigurojë financim për projektin dhe deklaratat e saj rreth projektit nuk kanë asnjë ndikim në këtë proces. Ne së bashku me Qeverinë e Kosovës mbetemi të vendosur për këtë projekt të rëndësishëm i cili arriti kulmin kritik të mbylljes komercial vitin e kaluar. Ne mbetemi të sigurt për sigurimin e financimit të nevojshëm dhe një afat kohor që do të shohë fillimin e ndërtimit të termocentralit në fillim të vitit 2019”, ka thënë Brandt, thuhet në njoftimin e Contour Global.

 

Contour Global: TC ‘Kosova e Re’ ndërtohet pa Bankën Botërore

 

 

11 Tetor 2018 - 17:23

Dorentina Kastrati 11/10/2018 - 17:23
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend