Qeveria propozon anëtarët e rinj të bordit të AKP-së tinëz britanikëve

Qeveria e Kosovës i ka përzgjedhur dy kandidatë për bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit tinëz Ambasadës britanike.

Bajram Zejnullahu është propozuar për kryetar, ndërsa Hajzer Salihu për anëtar të bordit.

Propozimi i tyre është bërë përkundër që në mesin e pozitave të larta që kanë qenë pjesë e memorandumit të nënshkruar nga Ambasada britanike dhe Qeveria e Kosovës, ishin edhe kryetari dhe anëtarët e bordit të AKP-së.

Pas propozimit të Qeverisë, Ambasada e Britanisë, përmes një emaili, i ka njoftuar të gjithë anëtarët e Komisionit për Komisionin për Zhvillim Ekonomik se propozimi i Qeverisë ishte bërë pa pajtimin e tyre.

“Përkundër kërkesës sonë zyrtare dërguar Qeverisë, Kuvendit edhe AKP-së, procesi i emërimit/rekomandimit në këto pozita është bërë pa përfshirjen e projektit tonë”, thuhet në emailin dërguar anëtarëve nga Ambasada britanike.

Komisioni parlamentar ka vendosur të mos e shqyrtojë propozimin e Qeverisë pa marrë përgjigje sqaruese nëse e njëjta ka qenë pjesë e listës së dakorduar me Ambasadën britanike.

“Atëherë po e shtyjmë, kërkojmë një sqarim ligjërisht të marrëveshjes nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në mënyrë që ta mbyllim sa më parë këtë proces. A pajtoheni me këtë? Kush është për? Po, po me shty deri sa ta marrim sqarimin tani e qesim në rend të ditës në mbledhjen e radhës”, tha kryetarja e Komisionit, Sala Berisha – Shala.

Propozimi për të mos e shqyrtuar propozimin e Qeverisë erdhi nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Unë në fakt duke iu referuar një emaili që e kemi marrë nga projekti i Ambasadës Britanike kërkoj që pika e katërt e rendit të ditës të hiqet nga rendi i ditës dhe t’i kthehet Qeverisë, me kërkesën që të respektohet memorandumi i bashkëpunimit për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Në letër siç thuhet, Bordi i Agjencisë së Privatizimit ka qenë pjesë e marrëveshjes edhe me Kuvendin edhe me Qeverinë, ndërkohë që rekomandimi i anëtarëve për Kuvendin e Kosovës është bërë duke e shpërfillë projektin dhe duke mos e involvuar fare në procedura të rekrutimit. Përndryshe ne deputetët e LDK-së do ta lëshojmë mbledhjen”, u shpreh Bajrami.

Ajo u përkrah edhe nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu.

“Njëjtë edhe unë lidhem me të njëjtën pikë, edhe për mua ka qenë shqetësues emaili i marrë nga organizata britanike. Do të ishte jashtëzakonisht gabim nëse ne do të procedonim, kur në shumicën e rasteve ne thirremi tek përzgjedhjet që bëhen përmes monitorimit të organizatës në fjalë, tash një çështje tepër me rëndësi siç është AKP-ja, nuk ish dashtë të anashkalohej. Kështu që unë sidomos duke pasur parasysh edhe përvojën e deritanishme që e kemi për zgjedhjen e shefit, respektivisht personit partiak që është në krye të AKP-së. Prandaj unë pajtohem që kjo pikë duhet të tërhiqet”, theksoi Aliu.

Muharrem Nitaj, deputet i AAK-së, deklaroi se AKP nuk është pjesë e listës me institucionet e dakorduara mes Qeverisë, Kuvendit dhe Ambasadës britanike.

“Ne edhe mundemi me e lëshu mbledhjen por me aq sa unë di kjo pjesa e AKP-së nuk është pjesë e memorandumit me Ambasadën britanike dhe unë besoj që edhe Ambasada britanike duhet të jetë e kujdesshme edhe të mos shkruaj letra të kësaj natyre, nëse kjo nuk është pjesë e memorandumit”, u shpreh Nitaj.

KALLXO.com ka kontaktuar me Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës, por ajo ka thënë se përzgjedhja e tyre nuk është bërë nga Zyra e Kryeministrit.

Ajo ka thënë se emrat janë sponsorizuar nga zëvendëskryeministri Dardan Gashi, prandaj nesër mund të japin më shumë sqarime rreth procedurës në fjalë.

KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje nga ministri i Diasporës, Dardan Gashin, por ai nuk ka qenë i qasshëm. 

Në listën e pozitave të dakorduara mes Qeverisë, Kuvendit dhe Ambasadës britanikët, të cilën e posedon Kallxo.com, në pikën pesë është edhe kryetari dhe anëtarët e bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Bajram Zejnullahu aktualisht është anëtar i bordit të AKP-së, prandaj qeveria ka propozuar vetëm t’i ndërrohet pozita. Kurse, Hajzer Salihu është anëtar i ri që do të zëvendësoj Zejnullahun në bordin e AKP-së.  

Pesë institucionet e para që janë pjesë e listës me institucionet dhe pozitat e dakorduara mes Ambasadës Britanike dhe Qeverisë e Kuvendit, Foto: Kallxo.com

 

10 Dhjetor 2018 - 19:51

Dorentina Kastrati 10/12/2018 - 19:51
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend