Ilustrim

Qeveria Ndanë 11 Milionë Euro për Barna

Qeveria e Kosovës ka vendosur për me i nda edhe 11 milionë euro shtesë për shëndetësi. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e qeverisë pas propozimit të Ministrit të Shëndetësisë, Ura Ismaili.

Ismaili ka thënë se këto mjete do të shpenzohen për barna.

“Qeveria e Kosovës, pas kërkesës sonë, sapo miratoi vendimin për ndarjen e 11 milionë eurove shtesë për Ministrinë e Shëndetësisë. Këto mjete do të përdoren për sigurimin e barnave dhe për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët”, ka shkruar Ismaili në profilin e tij në “Facebook”.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Ismaili ka thënë se këto mjete janë ndarë për pjesën e mbetur të vitit 2017.

Me rishikim të buxhetit për vitin 2017 Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar që deri në fund të vitit të shpenzojë 28.9 milion euro për mallra dhe shërbime, dhe tani kësaj shume i shtohen edhe 11 milion euro. Përderisa për këtë kategori të shpenzimeve sipas projekt buxhetit për vitin 2018 priten të shpenzohen 35.4 milion euro.