Qeveria ndal mikrofonat në muhabetin për Termocentralin ‘Kosova e Re’

Qeveria e Kosovës është duke mbajtur një mbledhje në të cilën janë vënë në diskutim 13 pika të rendit të ditës.

Si praktikë, mbledhjet e qeverisë së Kosovës xhirohen dhe mediat e interesuara mund t’i transmetojnë ato drejtpërdrejt me lidhje mbi monitorin i cili është i vendosur në sallën ku qëndrojnë gazetarët.

Por mikrofonat u ndalën kur kabineti qeveritar filloi diskutimin për një informatë lidhur me çështjen e investimeve të Contour Global për realizimin e projektit të ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se Qeveria e Kosovës është duke vazhduar përmbushjen e obligimeve të marra sipas marrëveshjes dhe “tashmë kemi përmbushur pjesën më të madh të obligimeve”

“Bashkë me investitorët jemi në fazën e vlerësimit të ofertave për përzgjedhjen e kompanisë”, tha ministri Lluka.

“Faza e parë tashmë është përmbyllur dhe në fund të marsit do ta pranojmë një raport të detajuar”, shtoi ai.

“Brenda muajit prill do bëhet përzgjedhja e ndërtuesit të Kosova e Re”, tha ministri

Pikërisht në pikën kur po diskutohej për investimin e Contour Global në Termocentralin Kosova e Re, kabineti qeveritar u përkujdes që të ndalë mikrofonin.

Ishte ministri Lluka ai i cili dha disa informata, deri sa kryeministri iu drejtua me pyetje por paraprakisht e ndali mikrofonin.

Përderisa zëri i debutuesve nuk depërtonte nga kjo mbledhje, në debat u pa të jenë përfshirë kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe ministrat Valdrin Lluka, Besim Beqaj e Bedri Hamza.