Qeveria miratoi ndryshim-plotësimin e udhëzimit për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme Udhëzimin Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Plotësim ndryshimet e udhëzimit  rregullojnë mundësinë stimuluese të regjistrimit të pronës në emër të dy bashkëshortëve për të siguruar  pjesëmarrjen e barabartë të gruas dhe burrit në të drejtën e pronës së paluajtshme të përbashkët.

“Qeveria e Republikës ka miratuar me tri vendime të veçanta nismat për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare me Malin e Zi, Zvicrën dhe Francën, për njohje reciproke të patentë shoferëve. Kabineti qeveritar ka miratuar edhe nismën për amendamentimin  e Marrëveshjes për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë”, thuhet në komunikatë.

Në pyetjen e kryeministrit për afatin e përfundimit të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, kryeministri ka marrë përgjigje nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, se inaugurimi i kësaj rruge është planifikuar të ndodhë më 29 maj, ndërsa për përmbushjen e obligimeve të pagesave nga ministria, sipas komunikatës është duke u përgatitur raporti i cili do të prezantohet para kabinetit qeveritar shumë shpejt.

Me propozimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit është bërë emërimi i zëvendësdrejtorit të shërbimeve operative në Agjencinë e Navigimit Ajror të Kosovës, Valimir Hylenaj, për një mandat 5 vjeçar.

Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik ka njoftuar kabinetin qeveritar me gjendjen e vështirë financiare të Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Mitrovicë, e cila po shkaktohet kryesisht nga mosrealizimi inkasimit të të hyrave nga Mitrovica e veriut.