Mbledhja e Qeverisë (Arkiv)

Qeveria merr një vendim të rëndësishëm për Trepçën dhe për Komunën e Skenderajt

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar është miratuar shqyrtimi i propozim vendimit për themelimin e Grupit Punues Teknik, për vlerësimin e të gjitha aseteve që janë në pronësi të N.Sh. Trepça dhe përfshirja e të gjitha aseteve fizibile në statutin e shoqërisë aksionare Trepça.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, tha se ky grup teknik do të merret me të gjitha çështjet e ngritura nga Sindikata e Minatorëve të Trepçës.

“Me qëllim të gjetjes së zgjedhjeve të mira dhe të pranueshme vlerësojmë se duhet të krijohet grupi punues teknik për vlerësimin e aseteve. Gjithashtu është miratuar edhe propozim vendimi për themelimin e Grupit Punues Teknik për trajtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve për të gjitha çështjet sociale të ngritura nga Sindikata e Minatorëve të Trepçës”, tha ministri Lluka.

Kabineti qeveritar po ashtu ka aprovuar kërkesën e Komunës së Skenderajt për tërheqjen nga procesi i privatizimit të pronave shoqërore të Kooperativës Bujqësore- Runik.

Kërkesën e Komunës së Skenderajt para kabinetit qeveritar e prezantoi zëvendësministri i MAPL-së Bashkim Krasniqi. Ai tha se qëllimi i kësaj kërkese ka të bëjë me interesin e përgjithshëm publik të Komunës së Skenderajt.

“Me qëllim te realizimit të interesit publik komunat kanë të drejtë të kërkojnë rikthimin e pronave. MAPL ka pranuar kërkesë nga Komuna e Skenderajt për tërheqje nga privatizimi me qëllim të realizimit të interesit publik. Qëllimi i marrjes së pronës nga komuna është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Kërkojmë të miratohet kjo pikë”, tha Krasniqi.