Mbledhja e Qeverise, Foto: Facebook

Qeveria liron nga tatimi doganor bashkësitë fetare dhe disa produkte ushqimore

Qeveria e Kosovës e ka miratuar shqyrtimin e propozim-vendimit për lirim nga tatimi doganor Bashkësitë Fetare të parapara me legjislacionin në fuqi për liritë fetare në Kosovë.

Lidhur me këtë, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se kanë pasur kërkesë nga bashkësitë fetare që të lirohen nga këto tatime.

“Ne kemi pas kërkesë nga bashkësitë fetare me i trajtu sipas praktikave të vendeve të botës me i liru nga tatimi doganor, ky lirim do jetë i kufizuar vetëm në sasinë e nevojshme, Kosova çmohet dhe me këtë theksohet edhe nga bashkësitë fetare dhe kërkoj të votohet ky vendim nga lirimi i tatimit doganor”, tha Hamza.

Në mbledhjen e  sotme, Qeveria aprovoi edhe shqyrtimin e propozim-vendimit për lirim nga tatimi doganor për mallrat me kodet 0101 deri në 0106.

Produktet e liruara nga tatimi janë  mishi dhe prodhimet e qumështit.

Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se Kosova ka nevojë për import të kafshëve.

“Kosova sipas analizave ka nevojë për import të kafshëve sepse ka mungesë dhe reforma fiskale shkojnë në këtë drejtim”, tha ministri Hamza.