Pika kufitare në Merdar. Foto: Kallxo.com

Qeveria liron nga taksa mallrat serbe e boshnjake të para 21 nëntorit 2018

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot një vendim me të cilin e ka ndryshuar vendin e nëntorit të vitit të kaluar rreth taksës 100 përqind ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Vendimi është miratuar me votat unanime të kabinetit qeveritar.

Me këtë vendim, mallrat të cilat kanë hyrë në Kosovë para 21 nëntorit, ditën e marrjes së vendimit, nuk i nënshtrohen pagesës së taksës.

Sipas njoftimit të Qeverisë, nga pagesa e taksës lirohen mallrat që janë gjetur nën procedurat doganore me regjim të pezulluar (depo doganore, import të përkohshëm, përpunim nën kontroll doganor dhe përpunimi i brendshëm) me rastin e lëshimit në qarkullim të lirë.

Sipas raportit nga Dogana e Kosovës, prej datës 21.11.2018, mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja nuk janë lejuar të futen në Depo Doganore për pezullim të taksave, përveç brendeve. Ndërsa pas Vendimit numër 06/82 date 28.12.2018 kjo ndalesë vlen edhe për brendet ndërkombëtare.

Kur u pyet për pezullimin e taksës, sipas një kërkese të raportuar të qeverisë amerikane, kryeministri Ramush Haradinaj tha pas mbledhjes se jetëgjatësia e taksës varet nga garancitë e kërkuara për njohje të dyanshme mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sot do ta kishim pezullu taksën por para se të kemi një marrëveshje obligative, nuk ka logjikë. Nëse shkruhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ia japim mundësinë për aq ditë sa të nënshkruhet, e pezullojmë”, tha Haradinaj.