Takimi i Komisionit për Buxhet e Financa - Foto: KALLXO.com

Qeveria Kërkon Mjetet e Paidentifikuara të Trustit

Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Fondet Pensionale u miratua në parim nga Komisioni për Buxhet dhe Financa me disa vërejtje nga anëtarët e opozitës.

Anëtarja e Komisionit, Shqipe Pantina, ngriti një shqetësim lidhur me Ligjin, posaçërisht për mjetet e paidentifikuara që mbesin në Trust (Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës) dhe i kthehen buxhetit të shtetit.

Ajo theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votojë nenin e Ligjit, i cili përcakton mbajtjen e fondeve të paidentifikuara pas gjashtë viteve.

“Çështja thelbësore e këtij Ligji, e që mendoj se është e padrejtë dhe nuk duhet të lejohet, është që pas gjashtë viteve t’u merren paratë nga Trusti kontribuesve të cilët nuk identifikohen, e Qeveria mjetet e pashfrytëzuara t’i kthejë në buxhetin e konsoliduar. Ne duhet të bëjmë përpjekje që kjo shumë më mirë t’u shpërndahet kontribuesve të tjerë se sa të merret nga Qeveria. Andaj Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votojë këtë nen të Ligjit”, tha Pantina.

Por në këtë pyetje përgjigjen e dha ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili theksoi se sipas praktikave ndërkombëtare borxhi vjetrohet dhe nuk mund t’u shpërndahet kontribuesve të tjerë sepse nuk janë kursimet e tyre, andaj shkojnë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit.

“Sa i përket kthimit të mjeteve pas gjashtë viteve jemi bazuar edhe në parime tjera. Çdo borxh vjetrohet, e nëse disa mjete në Trustin Pensional kanë mbetur të paalokuara, ato mjete i kthehen Qeverisë së Kosovës, shkojnë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit. Por, Qeveria merr për obligim që kurdo që identifikohen pronarët e atyre mjeteve të kthehen ato mjete në llogari të atyre pronarëve. Pra kjo është praktikë ndërkombëtare. Këto nuk mund t’u shpërndahen të tjerëve, sepse nuk janë kursimet e tyre, pra janë kursime individuale”, tha Hoti.

Ndërsa, për Projektligjin për Shërbimin Mjekësor Emergjent dhe atë për pagesën e praktikantëve nëpër institucionet shtetërore (ky i fundit i propozuar nga Ministria e Arsimit), u vendos të shqyrtohen pas dy javëve pasi që Ministria e Financave të ndajë kosto buxhetore për implementimin e tyre.