Qeveria i reagon Bankës Botërore dhe Isa Mustafës

Qeveria e Kosovës ka reaguar në lidhje me raportin e publikuar të Bankës Botërore të Kosovës, ku flitet për rënien e vendeve të punës në Kosovë gjatë vitit të kaluar.

Përmes një komunikate për media, Qeveria tha se ky raporti është i pavërtetë dhe i pabazuar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se raporti i publikuar dje nga përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, për sa i përket zvogëlimit të vendeve të punës në Kosovë në vitin 2018, për 17 mijë vende pune, është plotësisht i pa vërtetë dhe i pa bazuar. Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës, por edhe Raporti Financiar për Shpenzimet e Buxhetit për vitin 2018, për zhvillimet makroekonomike në Kosovë flasin krejt ndryshe”, thuhet në komunikatë.

Tutje Qeveria ka kritikuar edhe liderin e LDK-së, Isa Mustafa për përfshirje në këtë debat.

“Nuk na befason paraqitja e përfaqësuesit të BB me këto shifra, por jemi befasuar me gatishmërinë e kryetarit të LDK, z. Isa Mustafa, me profesion ekonomist, Profesor Universitar dhe akademik, për shfrytëzimin e këtij informacioni, pa një analizë profesionale e kritike ashtu siç mendojmë se i takon. E kuptojmë nevojën e kritikës së opozitës për Qeverinë, por jo me çfarëdo mjeti dhe nga çfarëdo niveli”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Qeveria thotë se sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga ASK lidhur me punësimin dhe strukturën e aktivitetit ekonomik të popullsisë, numri i të papunëve në vitin 2018 është zvogëluar për 11.611 persona, që do të thotë, shkalla e papunësisë është zvogëluar për 1% në krahasim me vitin 2017.

“Ecuritë makroekonomike në Kosovë në vitin 2018 ishin si vijon: norma e rritjes/shtimit/ekonomik 4.2%, investimet publike, rritje 13,1%, remitencat 6,0%, punësimi në sektorin publik 5,2%, investimet në sektorin privat 6,4%”, thuhet në reagim.

Qeveria ka shtuar se raporti i BB nuk e nuk e qartëson se cilat janë kriteret dhe metodologjia e përdorur për hartimin e një raporti me konstatimin përfundimtar se janë humbur 17 mijë vende të punës “dhe ne si Qeveri, menjëherë kemi kërkuar informacione të sakta se cili është burimi dhe cilat janë metodat e punës në mbledhjen dhe paraqitjen e këtyre shifrave”.

Në raportin “Trendet e Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor 2019” të Bankës Botërore dhe Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, thuhet se papunësia në Ballkanin Perëndimor ka shënuar ulje, duke rënë në 15.3 për qind nga 16.2 për qind sa ishte vitin paraprak, ku Kosova ka shënuar rënie për 29 për qind.

“Papunësia ka shënuar një ulje historike në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke rënë nga 16.2 për qind në 15.3 për qind gjatë vitit të kaluar. Shkalla e papunësisë sillej nga rreth 12 për qind në Serbi dhe Shqipëri në 29 për qind në Kosovë” thuhet në raport.

https://kallxo.com/banka-boterore-papunesia-ne-kosove-eshte-29-per-qind/