Qeveria i bie pishman, nuk e ‘blen’ ndërtesën e Dukagjinit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme të Qeverisë e ka anuluar vendimit e para disa javëve për të shpronësuar një parcelë në kryeqytet ku pretendonte të akomodonte institucione administrative.

Me 28 maj të këtij viti, Kabineti Qeveritar kishte miratuar vendimin për shpronësim të një objekti në Prishtinë për nevoja të institucioneve.

Objekti që Qeveria e Kosovës kishte vendosur ta shpronësonte për nevoja të institucioneve ka qenë nën pronësi të kompanisë “Dukagjini”.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, me propozim të Kryeministrit Haradinaj, ky vendim i Qeverisë është anuluar.

Ministri i Financave, Bedri Hamza kërkoi nga ministrat e Qeverisë që në qeveri të vijnë propozime të bazuara në ligj.

“I lus me konsideratë, ministritë e linjës, në këtë rast Ministrinë e Administratës Publike dhe Ministrinë e Planifikimi Hapësinor që bazuar në rregulloren e punës së Qeverisë dhe përgjegjësitë e ministrive që propozimet në Qeveri t’i sjellin të bazuara mirë, ligjore me qëllim që ne pastaj të marrim vendime të drejta me ec në proces”, tha Ministri Hamza para kabinetit qeveritar.

Për këtë vendim të Qeverisë kishte protestuar Lëvizja Vetëvendosje. Madje, kjo e fundit kishte ftuar edhe konferencë për media ku kishte akuzuar Qeverinë për favorizim të kompanisë.

https://kallxo.com/vv-akuzon-qeverine-per-favorizim-te-kompanise-dukagjini/?

Këtu mund ta gjeni vendimin e Qeverisë të para disa javëve, i cili u anulua sot.