Mbledhja e Qeverisë Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Qeveria Haradinaj Mban Mbledhjen e Parë

Kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbledhur kabinetin qeveritar në takimin e parë pas pranim-dorëzimit të detyrës në një ceremoni të zhvilluar sot.

Në këtë mbledhje, Haradinaj tha se për rend dite ka propozuar dy tema.

E para, shqyrtimi i planit qeverisës, pra përpilimi i këtij programi.

Kryeministri tha se duhet të marrin gjendjen nëpër dikastere.

“U kam thënë sekretarëve të përgjithshëm se kërkojmë ndihmë e jo informata që t’i fajësojmë të tjerët. Kjo Qeveri nuk do te kthehet mbrapa por do të shkojë përpara, e çka na vyen është informata që me bo diferencën. Do të punohet sonte deri vonë, do të vazhdoj me punu, nuk po them 24 orë, por shume çdo ditë”, tha Haradinaj, duke kërkuar që të hënën që vjen t’i dorëzohet Kuvendit programi qeverisës.

Tema e dytë e mbledhjes së parë të kabinetit qeveritar ishte çështja e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit.

“Ky Komision edhe ashtu e ka pasur të skaduar afatin. Sot jam konsultuar me partnerët politikë dhe kërkoj shkarkimin e tij dhe kërkoj t’i besohet udhëheqja e të riut Shpejtim Bulliqit”, shtoi Haradinaj.

Pastaj, kryeministri Haradinaj propozoi votim për shkarkimin e këtij Komisioni. Me asnjë votë kundër dhe dy abstenime u shkarkua Komisioni i drejtuar nga Murat Meha.

Më tej, Haradinaj tha se pritjet e qytetarëve dhe të partnerëve janë të mëdha.

“Kemi marrë detyrë për ta rritur mirëqenjen ekonomike dhe këtë duhet ta shkruajmë në plan qeverisës. Na duhet ta dimë gjendjen aktuale dhe nisjen ta kemi reale”, shtoi ai.

Sa i përket fushës së rendit dhe ligjit, Haradinaj tha se gjendja nuk është e keqe dhe se ka të arritura.

“Në shëndetësi kemi shumë punë. Mjekët e personeli mjekësor vërtetë janë heronj. Atyre u duhet një partner serioz”, theksoi shefi i Qeverisë.

Ai premtoi angazhim në fushën e arsimit dhe mbështetje për bujqit.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli e përgëzoi shefin e tij të ri që ka marrë vendim për ta mbledhur Qeverinë pas një dite, sipas tij, tepër të ngarkuar.

“Unë dhe stafi im jemi të gatshëm të vazhdojmë punën edhe pas këtij takimi”, tha Pacolli, i cili është edhe ministër i Punëve të Jashtme.

Kurse, zëvendëskryeministri tjetër, Enver Hoxhaj, tha se është e rëndësishme të kemi një dinamikë të re dhe cilësi të re.

Ai tha se Qeveria duhet të ketë tri fokuse: zhvillimi ekonomik, zbatimi i MSA-së dhe kompletimi i sovranitetit të Kosovës.

“Natyrisht që liberalizimi dhe përmbyllja e demarkimit është një prioritet, sikurse transformimi i FSK-së në FAK”, tha Hoxhaj.

Qeveria Haradinaj është votuar të shtunën në Kuvendin e Kosovës nga 61 deputetë që kanë votuar për dhe një abstenim.

Deputetët e opozitës, VV, LDK e Alternativa e kanë lëshuar sallën gjatë votimit për kabinetin qeveritar.