Presidenti Hashim Thaçi cakton Ramush Haradinajn mandatar për formimin e Qeverisë - Foto: Facebook

Qeveria Haradinaj ia trash kuletën Zyrës së Thaçit

Edhe pse së fundi nuk janë pajtuar në disa qëndrime politike kjo nuk e ka penguar kryeministrin Ramush Haradinaj që ta “korrigjoj” kuletën e zyrës së Presidentit .

Draft-buxheti i vitit 2019 i miratuar në Qeverinë e Kosovës gjatë javës së shkuar, ia rritë zyrës së presidentit buxhetin për gati 1 milion euro.

Buxheti i 2018 për zyrën e Thaçit ishte 3 milionë e 207 mijë e 870 euro ndërsa me projektbuxhetin e vitit të ardhëm, buxheti i presidencës do të jetë 4 milionë e 108 mijë 189 euro apo rreth 900 mijë euro më shumë sesa vitit paraprak.

Madje, në draft-buxhetin e 2019, potencohet se rritje do të ketë edhe gjatë viteve në vazhdim.

Në 2020 dhe 2021 është paraparë të rritet për mbi 100 mijë euro shumë apo mbi 4 milionë 219 mijë euro.

Pjesa më e madhe e këtij buxheti, rreth 2.6 milionë do të shpenzohen për mallra dhe shërbime ndërsa rreth 1.1 milion tjera në paga dhe mëditje.

Rritja më e madhe e buxhetit së presidencës për vitin 2019 është paraparë të bëhet në mallra dhe shërbime. Janë saktësisht 844 mijë euro më shumë për vitin 2019 sesa për 2018.

Zyra e Presidentit ka të punësuar 7 persona më shumë sesa në këtë vit, e kjo pastaj e ka prekur edhe rritjen e buxhetit në paga dhe mëditje për 50 mijë e 320 euro.

Ndërsa 6 mijë euro më shumë në buxhetin e 2019 janë paraparë të shpenzohen pë shpenzime komunale.

Ministrinë e Financave që e përgatit buxhetin e udhëheq Bedri Hamza, i cili është shumë i afërt me Presidentin Hashim Thaçi.