Ilustrim

Qeveria gjermane ua vazhdon mandatin ushtarëve gjermanë në KFOR

Ushtarët gjermanë do ta vazhdojnë misionin e tyre paqeruajtëses në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

Qeveria gjermane ka miratuar vazhdimin e mandatit të KFOR-it gjerman në Kosovë ndërsa vendimi pret miratimin e parlamentit të Gjermanisë, Bundestag.

Në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë thuhet se në përgjithësi gjendja në Kosovë është e qetë mirëpo “nuk mund të përjashtohet ndonjë incident i papritur që do të mund të çonte në tensione, sidomos në veri të vendit”.

Aktualisht, Gjermania ka rreth 400 ushtarë në Kosovë.

Numri i ushtarëve më parë ka qenë më i madh por ai është reduktuar në marrëveshje me NATO-n.

Në dhjetor të vitit të kaluar, KFOR-i gjerman është tërhequr nga Prizreni ku ka qëndruar që nga qershori i vitit 1999 dhe janë zhvendosur në Prishtinë.

Komunikata thotë se në rast të përkeqësimit të situatës, ushtria gjermane mund të reagojë shpejt dhe në mënyrë fleksibile në përputhje me detyrimet e saj ndaj NATO-s.