Qeveria e Serbisë angazhon lobistë amerikanë kundër taksës doganore

Qeveria e Serbisë ka angazhuar një kompani lobuese me bazë në SHBA për ta përfaqësuar atë për një mosmarrëveshjeje aktuale me Kosovën në lidhje me taksat e tregtisë të vendosura nga Prishtina.

 

Autoritetet serbe kanë nënshkruar një marrëveshje me kompaninë amerikane Cleary Gottlieb Steen & Hamilton LLP për të përfaqësuar Beogradin në mosmarrëveshjen e saj me Prishtinën në lidhje me taksën tregtare, sipas një kontrate të paraqitur në Njësinë e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA), e cila është pjesë e Departamentit të Drejtësisë së SHBA.

“Jemi të kënaqur që Republika e Serbisë e ka angazhuar kompaninë tonë për ta përfaqësuar atë në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me SHBA-së (duke përfshirë komunikimet vis-à-vis me Shtetet e Bashkuara të Amerikës)  që janë shfaqur në lidhje me një mosmarrëveshje me rajonin e Kosovës dhe Metohisë (jashtë Serbisë, Kosova shpesh referohet si “Kosovë *”) për çështje të caktuara të bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë kufizimet tregtare të vendosura nga autoritetet e Kosovës, në veçanti, ndaj mallrave dhe shërbimeve me origjinë nga Serbia (“Angazhimi”),  thotë kontrata të cilën Njësia e Regjistrimit FARA e ka pranuar më 28 mars.

Dokumenti i botuar nga Njësia e Regjistrimit FARA nuk e specifikon shumën që Serbia do ta paguajë  për shërbimet e kompanisë amerikane.

Qeveria e Kosovës fillimisht vendosi një taksë prej 10 përqind mbi importet e mallrave serbe më 6 nëntor të vitit të kaluar, duke e marrë si shkas “sjelljen negative” të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës dhe fushatës së saj ndërkombëtare kundër njohjes së Kosovës.

Megjithatë, me 21 nëntor, Kosova vendosi të rrisë taksën në 100 përqind, duke ngjallur kritika nga qeveritë perëndimore, përfshirë edhe zyrtarët e lartë të SHBA.

Kosova tashmë ka kontrata aktuale lobimi me kompanitë lobuese të SHBA.

Dy kontratat e fundit u nënshkruan nga Ministria e Jashtme e Kosovës dhe kompania amerikane Pillsbury Winthrop ShaW Pittman, LLP  “me qëllim të ofrimit të këshillave ligjore dhe mbështetjes për marrëdhëniet qeveritare dhe aktivitetet e komunikimit publik”.

Sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA, agjentët që përfaqësojnë fuqitë e huaja në “kapacitet politik ose kuazi politik” duhet të zbulojnë detajet e marrëdhënieve të tyre.