Ambasada e ShBA-së në Podgoricë | Foto: Qeveria e Malit të Zi

Qeveria e Malit të Zi: Sulmi nuk Përkeqësoi Sigurinë

Qeveria e Malit të Zi e dënoi sot sulmin e mbrëmshëm ndaj Ambasadës së ShBA-së në Podgoricë

“Qeveria e Malit të Zi dënon në mënyrën më të ashpër incidentin e mbrëmshëm në të cilin një person vdiq pasi aktivizoi mjete shpërthyese në afërsi të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Shërbime për Marrëdhëniet me Publikun i Qeverisë së Malit të Zi.

Kjo qeveri, sipas komunikatës, njofton se vendin e ngjarjes dhe Ambasadën e ShBA-së në Podgoricë e kanë vizituar sot paradite Ministri i Punëve të Brendshme Mevludin Nuhodziq dhe drejtori i Drejtorisë së Policisë Slavko Stojanoviq.

Në komunikatë thuhet se zyrtarët e Malit të Zi në kontakt me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shprehur keqardhje për sulmin dhe solidaritet me Amerikën.

Këta zyrtarë kanë konstatuar se pas sulmit nuk është përkeqësuar siguria e përfaqësive diplomatike.

“Është theksuar qëndrimi ynë i fuqishëm që kjo ngjarje nuk do të mundet dhe nuk do ta përkeqësojë shkallën e lartë të sigurisë së përfaqësive diplomatike dhe situatën e përgjithshme të sigurisë në Mal të Zi”, thuhet në komunikatë.

Komunikata përfundon me fjalët se “autoritetet kompetente po bëjnë të gjitha përpjekjet për të ndriçuar këtë rast”.

Sulmi ndaj Ambasadës amerikane në Podgoricë ndodhi në mesnatë, kur një person hodhi mjete shpërthyese në oborrin e kësaj ambasade dhe më pas vdiq pasi aktivizoi mjete tjera shpërthyese.

Nga sulmi nuk u lëndua asnjë punonjës i Ambasadës amerikane.