Ilustrimi: Trembelat/ Jeta Dobranja

Qeveria e Haradinajt me një Këmbë në Pushtet

Pas daljes në opozitë të Listës Serbe dhe deklaratave të disa zyrtarëve të AKR-së se do largohen nga Qeveria, Haradinaj është duke qëndruar me një këmbë në pushtet.

Janë vetëm 61 vota që e mbajnë Haradinajn kryeministër, aq sa duhen edhe për ta rrëzuar atë.

Kryeministri Ramush Haradinaj javën e kaluar kërkoi largimin nga detyra të ministrit të Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe shefit të AKI-së, Driton Gashi, pas deportimit të 6 shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Aleanca Kosova e Re sot nëpërmjet një komunikate njoftoi se Sefaj e ka pranuar kërkesën e Haradinajt për lirim nga detyra.

Por, dje nga kjo parti erdhën reagime të ndryshme rreth kërkesës së kryeministrit për ministrin.

Gjatë ditës së djeshme, partia e Sefajt është takuar pikërisht për ta diskutuar kërkesën e Haradinajt për lirim të ministrit nga detyra.

Interpretimet e strukturave të AKR-së nga ky takim kanë qenë të ndryshme.

Zyrtari i AKR-së, Rrahim Pacolli dje përmes një statusi në Facebook ka deklaruar se nëse Sefaj lëshon detyrën e ministrit të Brendshëm, AKR-ja largohet nga Qeveria.

http://kallxo.com/kercenon-pacolli-nese-ministri-sefaj-nuk-e-vazhdon-punen-akr-del-nga-qeveria/

Pak më vonë, atij i është përgjigjur vetë kryetari i partisë, Behgjet Pacolli që ka thënë se janë vetëm kuvendi dhe organet tjera të partisë që mund të marrin vendime për të ardhmen e AKR-së.

Koalicioni PAN ka 40 deputetë. Mirëpo PAN-i me Listën Serbe dhe me minoritetet tjera joserbe numëron fiks 60 deputetë. Plus me dy deputetët e AKR-së, Islam Pacollin dhe Labinot Tahirin, ky koalicion ka 62 deputetë.

Me daljen eventuale të AKR-së nga koalicioni, Qeveria e Kosovës do të jetë plotësisht e barabartë me opozitën.

Ilustrimi: Trembelat/ Jeta Dobranja

Në anën tjetër edhe Lista Serbe javë më parë përmes një komunikate deklaroi se do të largohet nga Qeveria, ndërsa deputetët e saj thanë në Kuvend se në të ardhmen do të jenë opozitë.  Kjo i bie që koalicioni qeverisës ka edhe 10 vota më pak.

AKR-ja, që në qershor garonte në një listë të përbashkët me LDK-në, kishte 4 deputetë: Behgjet Pacollin, Islam Pacollin, Labinot Tahirin dhe Korab Sejdiun.

Mirëpo pas vendimit për të hyrë në Qeveri me PAN-in, deputeti Korab Sejdiu dha dorëheqja nga partia dhe grupi parlamentar dhe tani është deputet i pavarur.

Ndërsa kur Pacolli vendosi ta lëshojë karrigen e deputetit për t’u bërë pastaj pjesë e Qeverisë, vendin e tij e mori kandidati që ishte në pritje, e që ishte pjesë e LDK-së.

Tani, AKR në Kuvendin e Kosovës ka vetëm dy deputetë.

Në rast të ndonjë mocioni të mosbesimit ndaj Qeverisë, votat e deputetëve të AKR-së janë vendimtare.

Në anën tjetër, Haradinaj nuk e ka “bekimin” plotë as të partnerit të kamotshëm, Nismës Socialdemokrate.

Në shtator të vitit të kaluar, kur u votua Qeveria Haradinaj, deputeti i Nismës Zafir Berisha nuk e kishte votuar Qeverinë e Ramush Haradinajt.

http://kallxo.com/zafir-berisha-nuk-e-voton-qeverine-haradinaj-2/

KALLXO.com ka provuar ta kontaktojë deputetin Berisha për ta pyetur se cili do të ishte qëndrimi/vota e tij nëse do të kishte mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.

Haradinaj erdhi në krye të Qeverisë më 9 shtator të vitit të kaluar me 61 vota pro.

http://kallxo.com/kalon-ne-kuvend-qeveria-haradinaj/

LDK-ja kohëve të fundit ka kërkuar dakordim të subjekteve politike për zgjedhje të reja.