Qeveria dhe Shqiptarët e Veriut Kundër ‘Luginës së Diellit’

Rreth 300 shtëpi kanë filluar të ndërtohen dje në hapësirën mes të Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore në një lagje të quajtur si “Lugina e Diellit”.

Projekti i mbështetur nga qeveria e Serbisë synon t’u bëjë strehë rreth 300 familjeve serbe ndërsa banorët shqiptarë të lagjes “Kroi i Vitakut” në veri kanë reaguar ndaj këtij projekti.

Nazmi Ismaili, banor i kësaj lagjeje, ankohet se kthimi në veri i shqiptarëve është penguar gjithmonë saherë ata kanë nisur t’i rindërtojnë shtëpitë e djegura e shkatërruara gjatë dhe pas luftës.

“Janë përdorur standarde të dyfishta pasi që kur ka filluar të rindërtohet një shtëpi e shqiptarëve çdoherë kanë kërkuar leje ndërtimi, e për shtëpi të djegura gjatë luftës nuk ka nevojë të ketë leje ndërtimi  kjo ka qenë pengesa që po bëhen dy vite që asnjë tullë nuk është vendosur në veri nga shqiptarët”, tha Ismaili.

Ai thotë se nuk e di prej nga vijnë banorët që do të vendosen në 300 shtëpitë e projektit të banimit të nisur dje nga qeveria serbe, në përurimin e të cilit morën pjesë edhe ministra serbë të qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë, qeveria e Kosovës ka reaguar kundër këtij projekti duke i konsideruar të papranueshme përpjekjet e “qarqeve të caktuara”, që në kundërshtim me aktet ligjore dhe procedurale, të iniciohet ndërtimi i projektit të ashtuquajtur “Lugina e Diellit” në veri të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës është informuar nga ministrat përkatës për këto veprime të kundërligjshme dhe ka ngarkuar Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor si dhe Ministrinë e Kthimit dhe të Komuniteteve, në bashkëpunim edhe me Komunën e Zveçanit, që të ndërmarrin masat e duhura për ndërprerjen e veprimeve të tilla dhe të përmbushen të gjitha kushtet ligjore”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, e konsideron të papranueshëm implikimin e Qeverisë së Serbisë që duke nxitur komuna të caktuara të Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprime të paligjshme dhe në dëm të relacioneve ndërmjet qytetarëve të Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet që të krijojë kushte normale për të gjithë qytetarët e saj si dhe kthimin e tyre në shtëpitë dhe vendbanimet e tyre pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”.

“Ky proces, do të jetë i mundshëm dhe i qëndrueshëm vetëm duke respektuar ligjet të cilat ofrojnë siguri dhe stabilitet afatgjatë për çdo qytetarë dhe në linjë me proceset eurointegruese”, thuhet në deklaratë.