Foto: Komuna e Ferizajt

Qendër Inovacioni në Ferizaj

Sot në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj është bërë nënshkrimi i memorandumit për hapjen e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Nënshkrimi i këtij memorandumi është bërë nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu dhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.

Gjatë kësaj ceremonie, kryetari i komunës Agim Aliu e ka cilësuar Ferizajn si kryeqytet ekonomik.

“Ferizaj është kryeqyteti ekonomik i Republikës së Kosovës, komuna që po njeh ritme të shpejta të zhvillimit të qëndrueshëm dhe siguri të investimeve të rëndësishme publike e private, vendi i mundësisë për të gjithë dhe infrastrukturës së nevojshme për të realizuar idetë kreative e biznesore” tha Aliu.

Ai shtoi se ky projekt do të luajë një rol themelor në jetësimin e politikave zhvillimore ekonomike dhe do të jetë një mundësi e mirë për të gjithë.

Ndërsa ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj ka thënë se Ferizaj sot po shënon një fillim të ri për të rinjtë e këtij qyteti, që ka një zhvillim të mirë edhe ekonomik.

“ Kjo qendër do të jetë adresa e duhur dhe e saktë për të gjithë ata qe kanë ide dhe nevoja biznesore. Qëllimi ynë është që të lidhim studentët me ndërmarrësinë, që ta rrisim produktivitetin”, tha Beqaj.