Qe 10 Vjet Telat e Rrymës Rrezikojnë Qytetarët e Klinës

Ka dhjetë vjet që kutive të rrjetit elektrik në një ndërtesë dykatëshe në qendër të Klinës u mungojnë kapakët.

Banorët frikësohen se nga telat e rrymës që kanë mbetur përjashta do ta pësojë ndonjë qytetar.

Vilson Hajdari, i cili punon në njërin prej lokaleve në këtë objekt, është i shqetësuar se mund ta pësojnë fëmijët, sidomos nxënësit e shkollës fillore “Ismet Rraci” që është  shumë afër.

“Unë prej orës 8:00 të mëngjesit deri në 4:00 ose 5:00 jam këtu. Ka nxënës shumë, prej klasës së parë deri në klasën e tetë rend sillen këtej tërë ditën, prekin, luajnë edhe shumë keq, shumë rrezik“, tha ai për KALLXO.com

Edhe banorë të tjerë ndihen të shqetësuar me këtë gjendje, e cila sipas tyre mbetet e pandryshuar që prej dhjetë vitesh.

“Këtu afër është shkolla fillore dhe frekuentojnë nxënësit e klasës së parë, parashkollor. Frekuentimi i nxënësve është shumë i shpeshtë, edhe i banorëve të tjerë. Mirëpo për mendimin tim kjo gjendje është shqetësuese”, u shpreh Reshit Gashi.

Kurse, Hasan Deliu habitet se si KEK-u nuk i ka mbuluar këto kuti të rrjetit elektrik. “Qe dhjetë vjet e shoh të paarsyeshme çka bëjnë këtu. Mu më vjen çudi, më vjen keq që nuk vinë me marrë masa, me hidisë KEK-u. Këta kapakë qysh janë metë, munden mu mbytë fëmija në to”, tha Deliu.

Rreth këtij rreziku KALLXO.com ka kontaktuar autoritetet komunale.

Nënkryetari i Komunës së Klinës, Enver Berisha, tha për KALLXO.com se rrjeti elektrik nuk është kompetencë e autoriteteve komunale.

“Të them të drejtën unë nga ju po njoftohem për ketë problem me rrjet elektrik në qendër të qytetit dhe shqetësimin e banorëve. Rrjeti elektrik nuk është në kompetencë të Komunës së Klinës. Kishte me qenë mirë që banorët shqetësimin e tyre ta paraqesin edhe në Komunë, pastaj ne kishim kontaktuar zyrtarët e KEDS-it në Klinë ose në Pejë “, tha nënkryetari përmes telefonit.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje me shkrim edhe KEDS-it, mirëpo ndonëse ka pritur më shumë se një javë nuk ka marrë përgjigje.

Ky raport është realizuar pas ankesave të qytetarëve të Klinës në KALLXO.com.