Foto: Atdhe Mulla

PZAP Vendos Sot për Ankesat e Ditës së Zgjedhjeve

Për 32 ankesat e paraqitura në ditën e zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duhet të vendosë deri sot në orën 19:00.

Mulë Desku, kryetar i Serkretariatit të PZAP-it tregoi se sa ankesa gjithsej ka pranuar ky institucion gjatë fushatës, heshtjes zgjedhore dhe ditës së zgjedhjeve.

“Nga subjektet politike, kandidatët, OJQ-të janë paraqitur gjithsejt 301 ankesa dhe 18 apele. Gjithsej 319 ankesa dhe apele.. Fushatë zgjedhore 191 ankesa, thyerje e heshtjes zgjedhore 88 ankesa, ditën e zgjedhjeve 32 ankesa”, tha Desku për KALLXO.com duke shtuar se apelet janë të paraqitura ndaj vendimeve te KQZ-së.

Desku tregoi edhe shumën e shqiptuar të gjobave nga ankesat e deritashme të miratuara. Tha se ndaj subjekteve politike është shqiptuar gjobë prej 336 mijë e 950 eurove.

Labinot Leposhtica nga Zyra Ligjore e BIRN dhe Internews Kosova, tha se ditën e heshtjes zgjedhore dhe ditën e votimit, kjo zyrë ka deponuar në PZAP gjithsej 37 ankesa.

“Zyra Ligjore e BIRN dhe Internews Kosova, lidhur me fushatën zgjedhore, ditën e heshtjes zgjedhore dhe ditën e votimit, pas monitorimit të vazhdueshëm të të gjitha komunave të Kosovës në bazë të të gjeturave nga monitoruesit tanë në terren ka deponuar në PZAP gjithsej 37 ankesa”, tha Leposhtica.

Sipas tij, shumica e këtyre ankesave kanë të bëjnë me thyerjen e heshtjes zgjedhore ku kandidatë të caktuar të partive politike kryesisht përmes rrjeteve sociale u kanë bërë thirrje votuesve që të votojnë për ta.

Pjesa tjetër e ankesave sipas tij, ka të bëjë me mosrespektimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë-  kryesisht dispozitave që sanksionojnë vendosjen e materialeve propagandistike në vendet e ndaluara siç përcaktohet me ligj.

Një ankesë e Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova kundër Listës Serbe tashmë është aprovuar nga PZAP.

“Gjithashtu, lidhur me fushatën zgjedhore tashmë kemi një ankesë të aprovuar kundër një subjekti politik për shkak të përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së provokimit ndaj të tjerëve me një spot të saj të publikuar në YouTube” , tregoi Leposhtica.

Gjobitet Lista Serbe nga Ankesa e BIRN dhe Internews Kosova

Leposhtica bëri të ditur se ka ankesa edhe ndaj komisionarëve që dështuan ta kryejnë detyrën e tyre.

“BIRN dhe Internews Kosova  pasi që kanë monitoruar edhe ditën e zgjedhjeve në të gjitha komunat e Kosovës, kanë deponuar disa ankesa ndaj komisionarëve të KQZ-së të cilët nuk i kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë siç kërkohet në ligjin për zgjedhjet”, tha ai.

Mulë Desku tha se për ankesat vendoset më së largu tri ditë pas pranimit të tyre.

“Afati për vendosjen e ankesave nga PZAP-i është 72 ore nga momenti i dorëzimit te ankesës nga pala ne PZAP”, u shpreh ai.