KQZ - 24.04.2019

PZAP përmbys vendimin e KQZ-së, certifikon kandidatët e Listës Serbe

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar pjesërisht ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor për moscertifikimin e kandidateve të Listës Serbe për zgjedhjet në 4 komunat veriore.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, KQZ urdhërohet për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe.

“Pranohet pjesërisht si e bazuar apeli i subjektit politik Lista Srpska, me seli në Komunën e Mitrovicës së Veriut. Anulohet vendimi I Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), urdhërohet KQZ, ta certifikon subjektin politik Lista Srpska, me kandidatet për kryetar të Komunave: Goran Rakiq për Mitrovica e Veriut, Vuqina Jankovic për Zveçan, Srdjan Vuloviç për Zubin Potok dhe Zoran Todiçc për Leposaviç”, thuhet në vendimin e KQZ-së.

Kjo ankesë e Listës Serbe vjen pas vendimit të djeshëm të KQZ-së për moscerfitikimin e kandidateve të Listës Serbe për zgjedhjet në komunat veriore.

Dy abstenimet e anëtarëve të  Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi dhe Nazlie Bala nuk krijuan 8 votat e mjaftueshme për t’u certifikuar këta kandidatë.

Ky refuzim i VV-së vjen pasi që 3 nga katër kandidatët e propozuar nga Lista Serbe janë pikërisht kryetarët e dorëhequr.

Lista Serbe ndryshoi vetëm kandidatin e saj për kryetar të Zubin Potokut, ku nga Stevan Vuloviq, ajo kësaj here propozoi Srdjan Vuloviq.

Zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe do të mbahen më 19 maj, ndërsa vijnë pas dorëheqjeve të katër kryetarëve në shenjë pakënaqësie për vendosjen e taksës 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnjës.