Pamje nga një mbledhje e KQZ-së - Foto: KALLXO.com

Pyetja e presidentit mban KQZ-në të bllokuar që 8 muaj

Po bëhen pothuajse tetë muaj prej kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jofunksional.

27 marsi ka qenë dita kur anëtarëve të këtij mekanizmi i ka përfunduar mandati, ndërsa emërimi i anëtarëve të rinj ende nuk është bërë nga ana e presidentit të Republikës.

Duke e arsyetuar mosemërimin e anëtarëve, presidenti më 7 qershor pati kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqarime se nga sa përfaqësues u takojnë grupeve parlamentare.

Ndërsa, Kushtetuesja këtë çështje e ka dërguar në shtetet anëtare të Komisionit të Venecias për të marrë vendimin e plotë.

Në anën tjetër zyrtarë nga organizata të cilat monitorojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, këtë kërkese dhe këtë vonesë të presidentit e konsiderojnë si jo të logjikshme dhe e quajnë vonesë me motive politike.

Gjykata Kushtetuese: Vendimi do të merret brenda një afati të arsyeshëm kohor

Veton Dula, drejtor i Zyrës për Informim në Gjykatën Kushtetuese ka thënë për KALLXO.com se kërkesa e presidentit Thaçi është në fazën e shqyrtimit.

“Rasti aktualisht është ende në fazën e shqyrtimit. Vendimi do të merret brenda një afati të arsyeshëm kohor, ndonëse nuk ka afat të vendimmarrjes në këtë rast. Përkitazi me këtë lëndë, Gjykata i është drejtuar me disa pyetje edhe gjykatave kushtetuese të shteteve anëtare të Komisionit të Venecias”, ka thënë ai.

Sipas tij, vendimi do të nxirret duke bërë analizën krahasimtare me raste të ngjashme të shteteve anëtare të Komisionit të Venecias

“Të gjitha përgjigjet e gjykatave kushtetuese të shteteve anëtare të Komisionit të Venecias janë pranuar kohë më herët dhe ato tani janë duke u shqyrtuar me qëllim për të bërë analizën krahasimtare duke u bazuar në përvojat dhe në praktikat e tyre me rastet e ngjashme”, theksoi ai.

Pallaska: Kushtetuesja nuk është e detyruar të përgjigjet meritorisht në pyetjen e Presidentit

Në anën tjetër, sipas avokatit Dastid Pallaska, duke marrë parasysh edhe ndërrimet që kanë ndodhur në Gjykatë nuk bëhet fjalë për vonesë kohore.

Sipas tij, presidenti ka autorizim që t’i emërojë anëtarët edhe pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Duke marrë parasysh faktin se Gjykata Kushtetuese i është nënshtruar një ripërtërije të konsiderueshme në përbërjen e vet, me emërimin e katër gjyqtarëve të ri, nuk mendoj se mund të quhet vonesë periudha kohore që ka kaluar për shqyrtimin e kërkesës së Presidentit. Në anën tjetër, duhet të nënvizohet se kërkesa e Presidentit që përmban një pyetje kushtetuese nuk mund të vlerësohet si urgjente për trajtim. Kjo për shkak se Presidenti vazhdon ta ketë autorizimin kushtetues që të veprojë në lidhje me emërimin e anëtarëve të KQZ-së edhe pa vendimin/përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese”, ka theksuar ai.

Sipas tij ende nuk ka ndonjë pasojë për mosfunksionimin e KQZ-së, por në rast se paraqiten pasojat presidenti nuk mund të arsyetohet tek vonesa e GJK.

“Deri më tani mosveprimi i Presidentit nuk ka krijuar ndonjë pasojë kushtetuese që mund të cilësohet si shkelje e Kushtetutës. Thënë këtë, po që se pasoja të tilla paraqiten në të ardhmen, si për shembull në rast se KQZ nuk është funksionale në momentin e shpalljes së zgjedhjeve, mos përgjigja nga Gjykata Kushtetuese nuk mund shërbejnë si arsyetim për mosushtrimin e kompetencave nga ana e Presidentit dhe shkeljet kushtetuese të shkaktuara si pasojë e këtij mosveprimi”, tha ai.

D4D: Vonesat në KQZ janë për motive politike

Rasim Alija nga D4D ka thënë se të gjitha këto vonesa po bëhen për arsye politike pasi që vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 jep sqarime të mjaftueshme për këtë çështje.

“Nuk shoh arsye tjera logjike të zvarritjes së këtij procesi pos atyre që janë të ndërlidhura me arsye politike. Dhe këto vonesa janë të lidhura me numrin e anëtareve që subjektet politike duhet t’i kenë në KQZ. Presidenti nuk ka pasur fare nevojë që t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me emërimet e anëtareve të KQZ-së. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Ligji për zgjedhjet e përgjithshme kanë bazë të mjaftueshme për të mos lënë dilema për emërimet e anëtarëve të KQZ-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, të gjitha pasojat e këtyre vonesave i barten direkt institucionit të KQZ-së pasi që ka gati  8 muaj që është jofunksionale.

“Nga fundi i marsit janë tejkaluar afatet ligjore dhe praktikisht KQZ është jofunksionale. Këto vonesa ndikojnë direkt në punën e KQZ-së. Kjo e fundit ka një plan vjetor të punës, ka raporte që i dërgohen nga Sekretariati e që duhet t’i miratojë dhe procedojë më tutje. Ose çka nëse potencialisht mund të ketë zgjedhje të parakohshme? A i bie kjo do të aktivizoheshin të gjitha institucionet, a i bie që Gjykata Kushtetuese do të dilte menjëherë me vendim”, ka thënë ai duke shtuar të gjitha këto çështje japin një pamje që i gjithë ky proces i vonesave ka mundur të evitohet dhe gjithashtu tregon që këto vonesa kanë motive politike.