Presidenti rus, Vladimir Putin

Putin: Rusia nuk synon ta ndajë BE-në

Rusia nuk ka interes në dobësimin e Bashkimit Evropian, tha presidenti rus, Vladimir Putin, përpara vizitës së sotme në Austri – udhëtimit të parë të tij në një vend të BE-së në gati një vit.

“Ne nuk synojmë ta ndajmë Bashkimin Evropian. Sa më shumë probleme që të ketë në BE, aq më të mëdha janë rreziqet dhe pasiguritë tona”, tha Putin në një intervistë për transmetuesin publik të Austrisë ORF.

Ai tha se dëshiron një BE “të bashkuar dhe të begattë”, duke e cilësuar bllokun si partnerin më të rëndësishëm tregtar dhe ekonomik të Rusisë.

Putin mohoi se Rusia po shkakton mosmarrëveshje duke ushqyer lidhje të ngushta me lëvizjet populliste evropiane, siç është Partia Liria e ekstremit të djathtë, e cila është pjesë e Qeverisë austriake.

“Përkundrazi, ne duhet të zgjerojmë bashkëpunimin tonë me BE-në. Ne nuk duam të ndajmë diçka ose dikë në BE”, tha Putin për ORF-në.

Marrëdhëniet e Rusisë me BE-në mbeten të tensionuara, për shkak të përfshirjes së Moskës në luftën në Ukrainë, si dhe rolit të saj në luftën në Siri.

Qeveria e kancelarit të Austrisë, Sebastian Kurz, ka shkaktuar kritika gjithandej, pasi ajo ka refuzuar t’i bashkohet përgjigjes së ashpër ndërkombëtare ndaj një sulmi me agjent nervor kundër një ish-spiuni rus dhe vajzës së tij në Angli. Britania ka fajësuar Rusinë për këtë incident që ka ndodhur në muajin mars.

Qeveria e Kurzit e ka justifikuar veprimin e saj, duke thënë se Austria është një “ndërtues i urave midis Lindjes dhe Perëndimit” dhe se dëshiron “të mbajë kanale të hapura” me Moskën.

Kjo qeveri ka qenë ndër të paktat e BE-së që nuk i ka tërhequr diplomatët nga Rusia, në shenjë proteste ndaj helmimit të Sergei Skripalit dhe vajzës së tij, Yulia.

Rusia është nën sanksione të BE-së prejse ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë, në vitin 2014.

Putin ka mbështetës brenda koalicionit qeverisës të Austrisë, përfshirë kreun e Partisë Liria, Heinz-Christian Strache, i cili ka bërë thirrje për heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.

I pyetur përpara takimit me Putinin për lidhjet e Rusisë me partitë e ekstremit të djathtë, kancelari Kurz tha se Austria “do të vendosë në mënyrë pragmatike nëse do të bashkëpunojë me dikë politikisht”.

“Ne përpiqemi të punojmë me ata që publikisht shprehin dëshirën për të punuar me ne”, tha ai.

Putin është rizgjedhur së voni për mandatin e katërt presidencial, duke fituar mbi 76% të votave. Por, grupet e pavarura monitoruese kanë raportuar për qindra parregullsi në ditën e zgjedhjeve, ndërsa lideri kryesor i opozitës, Aleksey Navalny, është ndaluar të garojë.