Nga një takim i mëhershëm Vuçiq-Putin - Foto: Mikhail Klimentyev/AP/Beta

Putin akuzon Kosovën për rritje të tensioneve me formimin e Ushtrisë

Presidenti i Federatës ruse, Vladimir Putin, akuzoi sot autoritetet e Kosovës për ndërmarrjen e një vargu veprimesh provokuese, përfshirë vendimin për formimin e Ushtrisë, një hap, siç tha ai, që rrit tensionet me Serbinë dhe mund ta destabilizojë rajonin.

Siç raporton agjencia Reuters, Putin tha kështu në një konferencë për media në Beograd pas takimit me homologun serb, Aleksandar Vuçiq.

Putin vlerësoi se vendimi i Kosovës për formimin e Ushtrisë është i paligjshëm.

Po ashtu, siç raporton BIRN, presidenti rus tha synimi i Kosovës për të formuar Ushtrinë është shkelje e rezolutës 1244 të OKB-së.

Ndërsa, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi ka marrë “mbështetje domethënëse” nga presidenti rus lidhur me çështjen e Kosovës.

“Opinioni i Rusisë është i ditur: ne pajtohemi që një zgjidhje e përbashkët dhe e pranueshme e bazuar në rezolutën 1244 është e domosdoshme”, ka thënë Vladimir Putin.