Gjykimi i Oliver Ivanoviqit | Foto: KALLXO.com

Pushon Zyrtarisht Ndjekja Penale e Oliver Ivanoviqit

Gjykata Themelore në Mitrovicë me aktvendim ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Oliver Ivaanoviqit, pas vrasjes së tij më 16 janar.

Gjykata aktvendimin, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, e ka bazuar në nenet 450-457 dhe nenin 358 të Kodit të Procedurës Penale.

Neni 358 përcakton merret me rrethanat në të cilat pushon ndjekja penale ndaj një të akuzuari, ndërsa nenet 450-457 lidhen me pagesën e shpenzimeve të procedurës gjyqësore kur hedhet aktakuza.

Në aktvendimin e hedhjes poshtë të aktakuzës jepet historia e gjykimit për krime lufte të Oliver Ivanoviqit, ndërsa tregohet se më 21 janar 2016 ai ishte dënuar me nëntë vjet burg.

Gjykata në aktvendim tregon se hedhja poshtë e aktakuzës, sipas nenit 358 ndodh nëse ka skaduar afati kohor i aktakuzës, nëse ndodh ndonjë amnisti, apo ekzistojnë rrethana tjera që e ndalojnë ndjekjen penale.

Politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviq u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar.

Ai u varros një ditë më pas në Beograd.

Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE-së, ata serbë dhe kosovarë.

Ai shihej një politikan i moderuar në Kosovë që përkrahte bashkëjetesën midis pakicës serbe dhe shumicës shqiptare.

Megjithatë, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Ai e deklaroi veten të pafajshëm.

Serbia ka kërkuar përfshirje në hetimin për vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa dy shtetet në mënyrë të tërthortë janë duke shkëmbyer informata për këtë vrasje.