Pushon Procedura Penale në Rastin “Apex”

Lajmin e bëri të ditur për KALLXO.com Sevdali Zejnullahu, avokati i Ilir Morinës.

“Më 30.12.15 me vendimin PKR 194/15 gjyqtarja Kateien Gabriel Wittenem, pas analizës së kundërshtimeve dhe kërkesave për hudhje të aktakuzës ka marrë aktvendim me te cilin është hedhur aktakuza dhe e ka pushuar procedurën penale,” tha Zejnullahu.

Edhe Gjykata Themelore në Prishtinë me anë të një komunikate për media njoftoi për hedhjen poshtë të aktakuzës dhe arsyen e këtij veprimi.

“Pas interpretimit të saktë të dispozitave relevante të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kryetarja e trupit gjykues ka ardhur në përfundimin se ligji nuk ka lënë tjetër zgjidhje, pasi që aktakuza është paraqitë pasi që ka kaluar afati ligjor,” thuhet në arsyetimin e gjykatës për hedhje poshtë të aktakuzës.

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzonte Arben e Astrit Krasniqin, Armend Nezirin, Mujë Berishën, Gani Zeqirin, Kushtrim Hakajn, Arsim Mulliqin, Luan Halilin, Agron Hoxhën, Ilir Morinën dhe Avni Morinën për krim të organizuar, detyrim, shtrëngim dhe posedimi të paligjshëm të armëve  dhe narkotikëve.

Arben e Astrit Krasniqi ishin pronarë të lojërave të fatit “Apex”.

“Qëllimi i këtij grupi ishte përftimi material duke shfrytëzuar forcën dhe kërcënimet serioze për t’i detyruar bizneset apo individët tjerë që t’i mbyllin kazinotë e tyre, të largojnë makina të caktuara të lojërave të fatit, apo të veprojnë sipas kushteve të pafavorshme për ta,” thuhej në aktakuzë.

Gjykata në komunikatë thotë se edhe pse lënda lidhej me korrupsionin, nuk mund ta vazhdonte gjykimin duke e shkelur ligjin.

“Mund të shihet e padëshirueshme që veprat si korrupsioni dhe krimi i organizuar që e dëmtojnë shoqërinë e Kosovës të kalojnë pa u ndëshkuar për shkak një tejkalimi të vogël të një afati. Megjithatë, do të ishte edhe më e padëshirueshme nëse në Kosovë do të përhapej praktika në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe sigurinë ligjore,” thuhet në komunikatën e gjykatës,” thuhet në arsyetim.

Edhe mbrojtja e të akuzuarve aktakuzën e kishte cilësuar të paligjshme.

http://kallxo.com/mbrojtja-e-konsideron-te-jashteligjshme-aktakuzen-ne-rastin-apex/