Foto-ilustrim

Pushojnë Hetimet për Krime të Luftës Ndaj Agim Sahitajt

Rreth 5 muaj pas ngritjes së dyshimeve për kryerje të krimeve të luftës, Agim Sahitaj është liruar nga paraburgimi dhe hetimet ndaj tij kanë pushuar.

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, avokati i Sahitajt, Tomë Gashi, ka njoftuar se Prokuroria Speciale e Kosovës ka pushuar hetimet ndaj të mbrojturit të tij.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pushuar hetimet ndaj klientit tim z. Agim Sahitaj, i cili ka qenë i dyshuar për veprën penale të krimeve të luftës, kinse të kryera në prill të vitit 1999, së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe”, shkruhet në postimin e Gashit.

Gashi më tej ka shkruar se i mbrojturi i tij nuk do të përballet më me dyshime për vepra të tilla.

“Me rastin e hetimeve në çështjen e z. Agim Sahitaj, nga provat e mbledhura nuk është vërtetuar dyshimi i arsyeshëm, se i njëjti të ketë kryer veprën penale të krimeve të luftës, për të cilat ai është hetuar”, shkruan Gashi.

Krejt në fund, Gashi çmon punën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Sigurisht që puna profesionale e Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës ka sjellur një vendim të drejtë dhe të ligjshëm, por gjithsesi duhet të gjenden fajtorët për vrasjen e 38 civilëve shqiptarë në masakrën e forcave serbe në prill të vitit 1999”, shkruan Gashi.

KALLXO.com ka shkruar rreth rastit të arrestimiti të Agim Sahitajt nën dyshimin se ka bashkëpunuar me forcat serbe, duke vrarë, plagosur, rrahur, maltretuar, plaçkitur e dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre në drejtim të Shqipërisë popullatën civile shqiptare.

http://kallxo.com/arrestohet-shqiptari-dyshuar-per-krime-lufte-ndaj-civileve-shqiptare/