Punime me intenstitet në QKMF-në e Gjilanit

Ndërtimi i objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan vlerësohet si zgjidhje për 50 vitet e ardhshme për shëndetësinë primare.

Ndërtimi i këtij objekti kap shifrën prej 1.4 milionë eurosh dhe bashkë financohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Komunës së Gjilanit.

Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli tha se punimet po ecin mirë dhe me intensitet të lartë.

“Kemi pasur vonesa në këtë projekt për shkak se do ta bëjmë një nënkalim që është lidhje direkte mes objektit të QKMF-së dhe Spitalit të Përgjithshëm. Lajmi i mirë është që po punohet me intensitet të lartë në këtë objekt, i cili është më i madhi i kësaj natyre në Kosovë, ua lehtëson punën personelit shëndetësor dhe ndikon direkt në ofrim të shërbimeve më të mira për shëndetësinë primare”, ka thënë Ismajli.

Siç thuhet në komunikatën e Komunës, kjo qendër ka qenë premtim i kryetarit të komunës, Lutfi Haziri dhe përmbyll investimet kapitale.

Nënkryetari Ismajli po ashtu tha se me ndërtimin e këtij objekti zgjidhet problemi për 50 vjetët e ardhshme në shëndetësinë primare.