Arkiv - Punëtorët teknikë të disa shkollave të Prishtinës, protestojnë para komunës. Foto: Kallxo.com - ARKIV
Punëtorët teknikë të shkollave protestojnë para Komunës
Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës sot do të protestojë para objektit të Komunës së Prishtinës, në shenjë pakënaqësie me mos pagesën prej 4% të rritjes së pagave për punëtorët teknikë të disa shkollave të kryeqytetit.
Vendimi vjen pas takimit me punëtorët teknikë të shkollave “ Ismail Qemaili”, “Pjetër Bogdani”, “Eqrem Çabej”, “Naim Frashëri”, “Asim Vokshi”, “Hoxhë Kadri Prishtina”, “Gjergj Fishta”, “Dardania”, si dhe punëtorët e sigurimit në QMF dhe punëtorët e pastrimit në QMF të Komunës së Prishtinës, ku temë diskutimi ishte mos pagesa e 4 % rritja e pagave në sektorin publik nga 1 janari 2018, dhe neglizhenca e Komunës për kthimin e këtyre punëtorëve nën menaxhimin e komunës sipas ligjit për kryeqytetin, i cili është aprovuar vitin e kaluar.
“Ju njoftojmë se ju jeni duke paguar shërbime jashtëligjshëm pasi që nuk keni vendim për privatizimin e këtyre shërbimeve, pra po keqpërdorni paranë publike. Pas shumë diskutimeve u vendos që më 22.01.2019 të protestohet para komune në ora 11:00, në shenjë pakënaqësie për mos realizimin e detyrimeve ndaj këtyre punëtorëve”, bëhet e ditur në letrën e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës dërguar kreut të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, drejtorit të Shëndetësisë, Bujar Gashit dhe drejtorit të Arsimit, Jonuz Salihut.