Punëtorët teknikë paralajmërojnë padi ndaj komunës së Prishtinës

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) Jusuf Azemi, në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se Sindikata ka filluar procedurat ligjore për të paditur komunën e Prishtinës, që sipas Azemit, kjo e fundit nuk i ka kryer obligimet që i ka ndaj punëtorëve teknikë të disa shkollave, të Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe disa punëtorë të sigurimit.

Azemi ka paralajmëruar se punëtorët do të futën në grevë në momentin kur komunës do t’i kushtojë më së shumti.

“Vendimi përfundimtar do të merret javën e ardhshme, përndryshe ne kemi filluar procedurat ligjore për këtë. Ne kemi thënë që ka qenë më tepër kërkesë e punëtorëve, sepse ata e dinë se kur janë më të ndjeshëm. Mendojmë që ajo pesha e grevës ta ketë efektin më të madh kur atyre iu duhet më së shumti. Përndryshe normal që procedurë ligjore kemi fillu. Takimi që u mbajt të premten e kaluar, është marrë vendim që greva të mbahet në momentet kur komunës mund t’i kushtojë më së shumti”, ka thënë Azemi në përgjigjen e tij.

Kërkesat e këtyre punëtorëve teknikë janë që të kthehen në menaxhimin e komunës dhe të iu rritet paga prej 4%, ashtu siç ju ishte premtuar.

Në anën tjetër nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, me 22 janar të këtij viti kishte pritur në takim kryetarin e SPSPK-së, Jusuf Azemi, për të ofruar zgjidhjen për kërkesat e punëtorëve.

Kryetari Azemi kishte lëshuar takimin duke kërkuar takim vetëm me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Ata janë punëtorë të sektorit privat, ashtu siç edhe quhet sindikata e tyre. Kësisoj, sektori publik nuk mund t’ua rrisë pagat drejtpërdrejt, sepse ka marrëveshje me kompaninë private e jo me punëtorët. Pavarësisht kësaj, ne iu kemi ndihmuar në vazhdimësi. Që nga atëherë kur i kemi kushtëzuar kompanitë në kontratë që minimumi i pagës të jetë 270 euro. Rritja tjetër prej 4%, do të duhej të vinte si kërkesë zyrtare nga kompania private, në mënyrë që ne t’ua bartim mjetet, për shkak se ndryshe nuk mund të dalim nga kontrata”, kishte thënë nënkryetari Nushi, në konferencën për media të mbajtur pas protestës së punëtorëve teknik.

Ndërsa në lidhje me kthimin nën menaxhimin e komunës të punëtorëve, Nushi kishte thënë se janë në pritje të infrastrukturës ligjore, përkatësisht të Udhëzimeve Administrative për Ligjin për Prishtinën, që të hapet rrugë për krijimin e kompanisë publike që merret me këtë çështje, ku të gjithë punëtorët do të kenë të drejtë të konkurojnë për punësim në këtë kompani.