Punëtorët e Qendrës Studentore paralajmërojnë ndërprerjen e punës

Punëtorët e Qendrës Studentore, të cilët menaxhohen nga kompania private ‘Beni’, kanë mbajtur protestë para drejtorisë së Qendrës Studentore, ku kanë paralajmëruar se do ta ndërpresin punën përfundimisht.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), ka thënë se për një vjet këtyre punëtorëve nuk iu është paguar Trusti Pensional nga kompanitë private, edhe pse Qendra Studentore dhe Ministria e Arsimit i kanë ndarë mjetet.

“Kërkesa e parë është një kërkesë e kamotshme që këta punëtorë mendojnë që mjaft u maltretuan duke u bartë nga një kompani në kompaninë tjetër dhe pa u respektu ligji dhe marrëveshja kolektive. Dhe kërkesa e dytë është se këtyre punëtorëve për një periudhë shumë të shkurtë, të tri kompanitë ‘Omi Impex’, ‘Higjena’ dhe kompania ‘Beni’, u kanë marrë mbi 40 mijë euro trustin e tyre, të cilën Qendra Studentore i kanë përcjellë mjetet dhe kompanitë e tyre nuk i kanë kryer obligimet e tjera”, ka thënë Azemi.

Ai ka thënë se i kanë paditur këto tri kompani private, dhe edhe pse kanë marrë ftesa për të shkuar në gjykatë, gjendja nuk po ndryshon.

“Dhe ky ka qenë qëllimi jonë përfundimtar, që të kemi mbështetje ligjore, sepse ne nuk kemi mjete që trustin ta gllabërojnë dhe ta marrin pronarët e kompanive. Ne kemi vërejtje edhe nga Qendra Studentore sepse kemi tërhequr vërejtje se trusti jonë po mungon, por megjithatë deri tash nuk është ndërmarrë asgjë. Kemi njoftuar edhe Policinë e Krimeve Ekonomike dhe Agjensionin Tatimor të Kosovës”, ka deklaruar Azemi.

Ndërsa Adile Rexhepi, e cila është punëtore në këtë kompani ka thënë se kërkesat e tyre janë që të kthehen në vende të punës siç kanë qenë para disa viteve.

“Kërkesat janë të kthehemi në vende siç kemi qenë para disa viteve, kështu që po na bie neve me vrapu pas trustit, pas 0.5%, rrogat janë shumë të dobëta, punë kemi shumë, kështu që nuk jemi duke e përballu”, ka thënë Rexhepi.