Protesta e punëtorëve të KEK-ut për rritje të pagave

Punëtorët e KEK Kërcënojnë me Grevë Nëse Nuk u Rriten Pagat

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë paralajmëruar se do të hyjnë në grevë nëse pagat nuk rriten në mënyrë lineare për 100 euro. Ky paralajmërim është bërë në protestën e organizuar nga Sindikata e Re e KEK-ut në Prishtinë. Protestuesit fillimisht janë ndalur para Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, e cila e monitoron direkt bordin e KEK-ut. Pastaj ata kanë marshuar në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës ku i kanë bërë thirrje kryeministrit që ta mbaj premtimin.

Rafet Osmani, kryetar i Sindikatës së Re të KEK-ut gjatë fjalimit të tij para protestuesve ka kërcënuar me grevë nëse nuk përmbushet kërkesa për rritjen e pagave.

“Pra sindikata do të jetë një forcë kohezive dhe përfaqësuese që do t’ja kthej dinjitetin punëmarrësve të KEK-ut. Kërkesat tona kanë qenë kapshme e të përballueshme, e asnjëherë ta dëmtojnë buxhetin e KEK-ut. Sindikata do të jetë zë i fuqishëm në mbështetje të punëmarrëseve të KEK-ut. Uroj që kjo protestë të na shërbej në unitet, solidaritet në përmbushjen e kërkesave tona”, ka potencuar Osmani.

Më tej Osmani ka shtuar se mirëqenia, standardet e punës, siguria në punë dhe pagat më të mira kurrë nuk janë arritur në dialog me udhëheqësit e KEK-ut por vetëm nga presioni sindikal.

Përvec pagave, protestuesit kanë kërkuar njohjen e stazhit të punës për punëtorët që dalin në pension.

“Qeveria e Kosovës u ka borxh që kur të dalin në pension t’jua njoh punëtorëve përvojën e punës në vitet e 90-ta. KEK-un ky menaxhment e sjellën buzë greminës”, ka theksuar Osmani para punëtorëve protestues. Në bazë të ligjit, pensionin kontribut dhënës e marrin vetëm ata që arrijnë të dëshmojnë 15 vjet përvojë pune para vitit 1999. E punëtorët e larguar nga puna në fillim të viteve të 90-ta janë të diskriminuar nga ky ligj, pasi ata që nuk i kanë 15 vjet përvojë pune e marrin vetëm pensionin e pleqërisë.

Afrim Salihu, avokat në Odën e Avokatëve të Kosovës është zotuar se kërkesa e punëtorëve do të shqyrtohen nga kryeministri.

“Kërkesat e juaja janë legjitime dhe do të shqyrtohen nga kryeministri. Pa ju Kosova mbetet në terr dhe besoj që askush nga ju nuk e do Kosovën në terr. Mendoj që qeveria në ditët në vazhdim do ta kryejnë obligimin e tyre të cilin e kanë premtuar”, tha Salihu.

Protesta e punëtorëve po kërkojnë rritjen e pagave për 100 euro, premtim që e kishin marrë nga Ramush Haradinaj gjatë fushatës zgjedhore.

Bordi i KEK-u në mbledhjen e mbajtur në fund të javës së kaluar e ka shqyrtuar mundësin e rritjes së pagave. Kallxo.com ka raportuar se bordi ka vendos të mos i rris pagat për shkak të gjendjes financiare të ndërmarrjes. Është kërkuar të shikohen mundësit e uljes së shpenzimeve operative, kursime të cilat do të përdoreshin për rritje të pagave.