Arkiv: Protesta e punëtorëve të KEDS-it

Punëtorët e KEDS-it sot në grevë

Federata e Sindikatave të Pavarura “Elektro-Kosova” në një konferencë për media kanë sqaruar se të martën prej orës 8.00 deri në orën 16:00, punëtorët e KEDS do të futen në grevë në të gjitha distriktet.

Kërkesat e tyre janë ngritja e pagave dhe zbatimi i marrëveshjes kolektive.

Kryetari i kësaj sindikate Hysni Gashi, situata në KEDS është mjaft e rëndë, sepse është duke u bërë një nëpërkëmbje të punëtorëve në këtë kompani.

“Duke parë situatën se KEDS nuk ka reflektuar nga grevat e mbajtura javë më parë, sërish grevat janë të pashmangshme, ku nesër do të ketë grevë një ditore të punëtorëve të KEDS në gjithë Kosovën”, ka thënë Gashi.

Fehmi Pajaziti, kryetar i këshillit të Grevës, ka thënë se prej orës 8 deri në orën 16 do të ketë grevë ndërsa protesta do të mbahet para Qeverisë dhe Kuvendit në Prishtinë prej orës 13.00.

Ai tha se i kanë dy kërkesa , zbatimi i Marrëveshjes Kolektive dhe ngritja e pagave për çdo punëtor nga 150 euro. Ai tha se pas kësaj greve dhe proteste nëse nuk do të ketë reflektim nga menaxhmenti i KEDS do të ashpërsohen protestat ku do të ketë kaos energjetik.