Takimi i organizuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa | Foto: KALLXO.com

Punët e pakryera për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër Europian

Në takimin në lidhje me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Kartonin e Gjelbër Europian u konstatua se pa ulëse në OKB kjo gjë nuk mund të ndodhë.

Takimi konsultativ u organizua nga Grupi Punues i Komisionit për Buxhet dhe Financa, ndërsa Fehmi Mehmeti, guvernatori i bankës Qendrore tregoi aktivitetet që ka ndërmarrë Kosova.

“Në vitin 2011 është apliku në anëtarësim në Këshillin e Byrove. Aty kërkohet që Kosova të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara”, tha Mehmeti.

Ai foli edhe për çështjet e brendshme që do të lehtësonin anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër Europian.

Sipas Mehmetit është arritur që targat e automjeteve të makinave në Kosovë të njihen nga të gjitha vendet e BE-së, por problem paraqet numri i makinave të pasiguruara, të cilat Mehmeti i vlerësoi në 20 për qind.

Pasi në Kosovë nuk vlen kartoni i gjelbër, mjetet motorike kosovare duhet të paguajnë sigurime shtesë nëpër kufijtë e shteteve nga kalojnë.

Edhe mërgimtarët që kthehen në Kosovë paguajnë sigurim për automjetet e tyre, pavarësisht se mund ta kenë kartonin e gjelbër.

Zëvendëskryetarja e parë e komisionit Safete Hadërgjonaj kërkoi që çështja e kartonit të gjelbër të zgjidhet para se të fillojnë të vijnë mërgimtarët.

“Jemi në prag të pushimeve verore, diaspora e ka këtë shqetësim. Ta gjejmë një mundësi zgjidhjeje për ata që do të vijnë në pushime në Kosovë”, tha Hadërgjonaj.

Ndërsa anëtari i komisionit Blerim Kuçi kërkoi të dihet nëse Kosova mund të bëhet pjesë e vendeve mjetet e të cilave lëvizim nëpërmjet kartonit të gjelbër.

Ideja që një shtet i Europës të emetojë kartonë të gjelbër për Kosovën ishte përmendur edhe më herët.