Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Reja e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës punësohet në teatrin e qytetit 

Elda Ahmeti, reja (nusja e djalit) e nënkryetarit të Mitrovicës së JugutFaruk Mujka është punësuar në Teatrin e Qytetit të Mitrovicës, “Muharrem Qena”. 

Elda Ahmeti është punësuar si kostumografe dhe në bazë të shpalljes së Komunës për rezultatet e konkursit për staf teknik- administrativ, ka marrë 84% të pikëve. 

Një ditë më parë Komuna e Mitrovicës së Jugut ka publikuar rezultatet e konkursit të shpallur në fillim të tetori për stafin teknik –administrativ  të Teatrit “Muharrem Qena 

Pas publikimit të rezultateve janë ngritur akuza nga ana e opozitës dhe në rrejtetet sociale mitrovicase për kurdisje të konkursit, pasi disa prej të pranuarve janë persona me lidhje familjare me zyrtarëve të Komunës së Mitrovicës, zyrtarë politikë, ish zyrtarë e të afërm me LVV-në. 

Faruk Mujka, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut ka konfirmuar për Kallxo.com, se Elda Ahmeti është reja e tij (nusja e djalit), por, ka përjashtuar mundësinë që posti që ai mbanë të ketë ndikuar që reja e tij të fitojë punë e re në Teatrin “Muharrem Qena”. 

Ai ka thënë se reja e tij e ka fituar me meritë vendim e punës si kostumografe në teatër, pasi, siç ka potencuar ai, ajo e  ka përgatitjen e nevojshme.  

“Po, Elda është reja ime. Para se me folë me mua, kish qenë mirë me hulumtu në teatër, cilat ishin kriteret, kush ka apliku edhe a ka pasur naj shkelje të kritereve dhe a ia ka marrë punë naj kujt. Po të kishte shkelje kriteresh devijim apo edhe konkurrencë jo të drejtë atëherë me lyp përgjegjësi prej meje. Elda Ahmeti është e vetmja në Mitrovicë që e ka përgatitjen që është kërkuar dhe ka një CV, me pjesëmarrje nëpër sfilata ndërkombëtare, nuk e di pse unë duhet m`u ndje i shqetësuar dhe i etiketuar, pasi ajo nuk ka pasur nevojë për ndihmën time”, ka thënë Mujka 

Mujka ka mohuar që kriteri i caktuar për kostumografe t’i jetë përshtatur përgatitjes profesionle të Elda Ahmetit. Ai ka thënë se të tilla kritere janë zbatuar edhe nga teatrot tjetra të Kosovës. 

 Nënkryetari Mujka ka thënë që është i gatshëm të përballet me këdo që mendon se i është bërë e padrejtë. 

 Ndërsa, nuk e ka mohuar që kandidatët e pranuar në konkursin për teatër janë anëtarë apo militantë të LVV-së. 

“E këta të tjerët që hyjë nëpër puna a janë militantë partiak? Logjike është, tash 50% e qytetarëve janë anëtarë të LVV-së. A me iu thanë tash se kurrë nuk mund të punësoheni se jeni me LVV, pse këta tjerët po, PDK, LDK AAK bën, a po ju gjithë duhet me nejt rrugëve, niher me dal në protesta e me thanë hyni në institucione, e kur të hyni duhet me iu thanë ju rrini se jeni në institucione”, ka potencuar nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka. 

 Ai ka shtuar se secili duhet të marrë përgjegjësinë e tij. 

“Askush nuk ka nevojë të bie nën ndikimin tim. Tek e fundit Teatri është institucion në vete”, ka potencuar Mujka për Kallxo.com.  

Kallxo.com ka provuar të marrë një prononcim nga Elda Ahmeti lidhur me pranimin e saj si kostumografe në Teatrin “Muharrem Qena”, por kontakti ka qenë i pamundur. I pamundur ka qenë kontakti edhe me presona tjerë, emrat e të cilëve figurojnë në listën e të pranuarve sipas konkursit të shpallur nga komuna për staf tekniko- administrativ në teatrin qytetit.

Tafil Peci, drejtori  i Drejtorisë për Kulturë në këtë komunë ka mohuar që ndonjë prej të punënsuarve të jetë apo të ketë qenë ndihmës i tij. Siaps tij, përgjegjës për konkursin janë drejtuesit e Teatrit, “Muharrem Qena”.

“Ju informoj se teatri ka Këshillin Drejtues dhe drejtorin e Teatrit, ku të gjitha procedurat dhe inicimet e konkursit, përzgjedhjen e kandidatëve i kanë kryer vetë”, ka thënë ai. 

Drejtues të Teatrit “Muharrem Qena” nuk janë përgjigjur interesimit të Kallxo.com rreth akuzave për konkursin për staf teknik- administrativ, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi. 

Ndërsa, përfaqësues të opozitës mitrovicase kanë kërkuar nga organet përgjegjëse të hetojnë pretendimet për parregullsi. 

Donjet Bislimi, shef i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut ka thënë për Kallxo.com se opozita me dhjetëra here i kanë ngritur shqetësimet lidhur me punësime të tilla që po bëhen në institucionet komunale. 

Ai ka thënë se organet përkatës duhet të hetojnë dhe të dalin me një konkluzion rreth kësaj çështjeje. 

I pyetur rreth ndikimeve të mundshme politike në përzgjedhjen fitueseve të konkursit për staf teknik- administrativ të Teatrit “Muharrem Qena”, Bislimi ka thënë se informacionet dërgojnë në atë drejtim.   

“Në bazë të informacioneve dhe librezave partiake që posedojnë ata (persona e punësuar) del se ka pas ndikim politik”, ka thënë Donjet Bislimi, shef i grupit të deputetëve të PDK-së në KK të Mitrovicës së Jugut. 

Konkursi për zgjedhjen e stafit artistik- administrativ në Teatrit “Muharrem Qena” të Mitrovicës është hapur në fillim të tetorit, ndërsa rezultatet e këtij konkursi janë bërë të dituar dje në uebfaqen zyrtare të komunës. 

Bashkëngjitur në link mund të gjeni njoftimin për rezultatet e konkursit.