Pas kërkesës së BIRN-it për monitorim, BQK-ja anulon konkursin për tri pozita

Banka Qendrore e Kosovës e ka anuluar konkursin e shpallur më 3 gusht të këtij viti për tri pozita të lira. Anulimi i këtij konkursit është bërë pas kërkesës së Rrjetit i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) për monitorimin të këtyre konkurseve. Kërkesa e BIRN për monitorim është dërguar me 17 gusht.

Është anuluar konkursi për “administrues i bazës së të dhënave (Zyrtar i Lartë)” në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, është anuluar konkursi për “mbikëqyrës të Lartë (2 pozita)” dhe konkursi për “mbikëqyrës të ri bankar”. Të gjitha këto konkurse janë shpallur më datë 12 gusht, në kuadër të Departamentit të Mbikëqyrjes Bankare në BQK.

Në njoftimin e BQK-së të publikuar në uebfaqe, thuhet se arsyeja e anulimit të konkursit është situata me pandeminë e COVID-19.

“Ju njoftojmë se duke pasur parasysh situatën me COVID-19, dhe kapacitetet e kufizuara të hapësirave për të administruar numrin e aplikuesëve, konkurseve në këtë periudhë pandemie, në këtë fazë, anulohen shpalljet për vende të lira të punës”, thuhet në njoftimin e Departamenti i Burimeve Njerëzore të Bankës Qendrore.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në BQK për t’i pyetur për arsyet e anulimit, por ata nuk kanë kthy përgjigje.

Përkundër faktit që BQK është thirr në situatën me COVID-19 për anulim të këtij konkursi, BQK-ja nuk e ka anuluar konkursin për zëvendësguvernator, pozitë shumë e rëndësishme dhe e nivelit të lartë. Po ashtu në ueb-faqen e BQK-së, në kohë të pandemisë, vazhdojnë të mbesin të hapura dy konkurse: një për mbikëqyrës bankar dhe tjetri për zyrtar të ri të licencimit.

BIRN ka kërkuar sqarime nga Bankën Qendrore të Kosovës se pse nuk është përgjigjur ndaj kërkesës për monitorim të konkursit.

Në një përgjigje të shkurt, zyra për medie e këtij institucioni ka thënë se nuk mund të pranoi monitorimin pa një aprovim paraprak të Bordit Mbikëqyrës dhe Bordit Ekzekutiv.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), nuk është subjekt i marrëveshjes ndërmjet Kuvendit/Qeverisë dhe Ambasadës Britanike. Po ashtu, BQK nuk mund të jetë subjekt i kësaj marrëveshje pa aprovim të Bordit Mbikëqyrës për pozitat të cilat janë subjekt i Bordit Mbikëqyrës dhe pa aprovim të Bordit Ekzekutiv për pozitat, të cilat janë subjekt i Bordit Ekzekutiv”, ka thënë Kushtrim Ahmeti nga BQK.