Inspektorati i Punës kërkon të anulohen tri avancime në RTK të bëra pa konkurs

Inspektorati i Punës ka konstatuar se në Radiotelevizionin e Kosovës (R TK) janë avancuar tre persona në pozita menaxheriale pa hapur konkurs, siç kërkohet me akte nënligjore.

Këtë konstatim Inspektorati e ka bërë në një raport zyrtar të hartuar bazuar në një ankesë që është bërë nga një sinjalizues brenda RTK-së.

Në bazë të këtij raporti të Inspektoratit, sinjalizuesi më 16 qershor 2022 i ka denoncuar disa vendime të menaxhmentit të RTK-së për avancime në pozitat udhëheqës i administratës, udhëheqës i IT-së dhe udhëheqës i marketingut.

“Inspektorati i Punës bazuar në dokumentacionin e prezantuar ka konstatuar se, avancimet në pozitat e lartcekura për Udhëheqës të Administratës dhe Udhëheqës të IT-së dhe Udhëheqës të marketingut, janë bërë në kundërshtim me U.A 07/2017 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në sektorin publik, andaj konstaton se ankesa e sinjalizuesit është e bazuar”, thuhet në vendimin që e ka siguruar KALLXO.com.

Inspektorati ka konstatuar se në dy nga pozitat emërimet janë bërë me vendim të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

“Për pozitat Udhëheqës i Administratës dhe Udhëheqës të TI gradimet (avancimet) janë bërë me Vendime të Drejtorit të përgjithshëm për emërimin e kandidatëve, por pa zbatuar procedurën e konkursit e cila është paraparë edhe me Ligjin e punës edhe me UA nr.07/2017, por edhe me Ligjin për zyrtarët publik nr.06/L-114 për zyrtarët publik”, thuhet në konstatimet e bëra nga inspektori i punës, Naim Hoda. “Inspektori i punës konsideron se e drejta e emërimeve është kompetencë e Drejtorit të Përgjithshëm, por kontestuese është procedura e zgjedhjes”.

Tutje në raportin zyrtar inspektori konstaton se emërimet pa procedura të konkursit mund të bëhen vetëm në rastet kur caktohen si ushtrues të detyrës për periudhë të caktuar kohore deri në shpalljen e konkursit.

Inspektorati ka thënë se nuk mund të bëhen avancime duke u thirrur në ristrukturim apo organizim të ri të punës, pasi në rastet e tilla emërimet bëhen në përputhje me përgatitjen profesionale të punëtorëve dhe në pozita që kanë pagë të njëjtë me pozitën paraprake.

Tutje inspektori ka gjetur shkelje edhe tek emërimi i udhëheqësit të ri të marketingut. Inspektori thotë se analistja për audiencë dhe hapësirë komerciale është caktuar që të kryejë edhe detyrat e udhëheqëses së marketingut. Inspektori thotë se një avancim i tillë mund të bëhet vetëm në rast se udhëheqësi i marketingut caktohet përkohësisht, pasi një avancim i tillë nuk mund të bëhet për periudhë kohore të përhershme.

“Emërimet mund të bëhen pa ndonjë procedurë konkursi kur caktohet si U.D për periudhë të caktuar kohore deri në shpalljen e konkursit duke ju dhënë mundësi të barabarta edhe kandidatëve të tjerë të cilët i plotësojnë kushtet e konkursit”, thuhet në vendim.

Në raportin zyrtar të Inspektoratit të Punës thuhet se nga një kopje e raportit do t’i dorëzohet palëve në procedurë.

“Punëdhënësi obligohet që në afat prej 8 ditëve të eliminon parregullsitë lidhur me emërimet e bëra”, thuhet në raportin zyrtar të Inspektoratit.

Në anën tjetër, drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com tha se një vendim të tillë ende nuk e ka pranuar zyrtarisht nga Inspektorati i Punës.

“Në RTK ende nuk kemi pranuar asnjë vendim të tillë. Sidoqoftë, ju rikujtoj se punëtorët e RTK-së nuk janë shërbyes civil dhe bazuar në ligjin për RTK-në, konkursi publik është i detyrueshëm për pozitat e menaxhmentit të lartë dhe kryeredaktorit”, tha ai.

Ai ka premtuar se do të rrisë transparencën në televizionin publik.

“Megjithatë është vendim i imi dhe menaxhmentit  aktual për rritjen e transparencës dhe krijimin e kushteve te barabarta në procesin e rekrutimit dhe avancimit të stafit, duke përfshirë edhe pozitat që ju i keni përmendur”, ka deklaruar Ahmetxhekaj.