Punësimet partiake përplasin NISMA-n dhe VV-në

Polemika mes deputetëve e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohej gjendja e arsimit në Kosovë.

Gjithçka filloi kur deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, tha se Vetëvendosje ka punësuar shumë njerëz të saj në Prishtinë.

“Në mandatin e parë kur VV ka qeverisur në Prishtinë jo që e kanë mbushur militantë por edhe e kanë mbushur me margjina jashtë komunës së Prishtinës”, tha Hoti.

E për këtë reagoi deputetja e Lëvizje Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila tha se mos ta krahasojnë VV-në me partitë e tjera.

“Z.Bytyqi mos u tallni me deputetët e Kuvendit as me qytetarët. Prej që keni ardhur në krye të Ministrisë së Arsimit e keni shndërruar në çerdhe të militantëve partiake dhe për këtë flasin të gjithë dhe e keni shkatërruar sistemin arsimor në Kosovë. Z. Ministër mos të shkon mendja as ty e as deputetëve të partisë tënde me u krahasu me VV, s’mundeni me na shti me të njëjtën thesë”, tha ajo.

Ajo ia përmendi ministrit edhe disa emra që sipas janë punësuar në MAShT

“Kush është Pajtim Klecka, kush është Arianit Krasniqi, Valdete Prebreza, Shkurte Gashi, Valdete Gashi, Beslinda Hoxha a është mbesa juaj, Milot Hyseni djali i motrës së bashkëshortes tënde, Lavdim Rizani, Veton Kastrati, letra është e gjatë z. Ministër”, tha Haxhiu

Ndërsa, ministri Bytyqi i tha se këto janë dezinformata.

“Mos u shërbe me dezinformata merr informata të sakta, sepse këto dy persona që i përmende si familjarë të mi a janë të punësuar në Ministrinë e Arsimit. Unë e di që kemi pas sulme të gjithanshme sepse kemi marrëveprime të cilat nuk i ka marrë askush”, tha ai.