Spitali i Vushtrrisë

Punësimet familjare në spitalin e Vushtrrisë

Spitali Rajonal “Sheikh Zayed” në Vushtrri gjatë muajit shtator ka hapur një konkurs për pranimin e një zyrtareje për prokurim dhe tre infermierëve.

Sipas drejtorit të spitalit, Hajrullah Saraqi, kandidatët e pranuar nga ky konkurs janë Qëndresa Bllata, e cila është pranuar zyrtare e prokurimit, Ragbete Sahiti, infermiere, Arlind Selani, infermier dhe Luljeta Kutllovci, infermiere.

Në përgjigjet dhënë për KALLXO.com, drejtori i spitalit ka thënë se i gjithë konkursi është zhvilluar duke respektuar të gjitha procedurat.

“Gjatë kohës të së drejtës për ankesë, nuk është paraqitur asnjë ankesë. Pasi ka kaluar koha e ankesës dhe nuk ka pasur asnjë ankesë, Spitali i ka nënshkruar kontratat e punës me të përzgjedhurit”, thuhet në përgjigjen e Saraqit.

Por, KALLXO.com ka gjetur se tre nga kandidatët e përzgjedhur nga ky konkurs kanë lidhje familjare me stafin e spitalit në Vushtrri.

Ragbete Sahiti e punësuar si infermiere në spitalin e Vushtrrisë, është motra e zëvendësdrejtorit të Spitalit, Ahmet Ademit.

KALLXO.com ka kontaktuar me Ahmetin për ta pyetur nëse ka pasur ndikim në punësimin e motrës së tij po i njëjti e mohon atë.

“Jo, nuk kam ndikuar në punësimin e saj, unë nuk jam as në komision as asgjë”, ka thënë Ademi për KALLXO.com.

Edhe Ragbete Sahiti, motra e zëvendësdrejtorit thotë se vëllai i saj nuk ka pasur asnjë ndikim në punësimin e saj, pasi që ajo tash e disa herë ka konkurruar në këto konkurse.

“Jo, nuk ka pasur asnjë ndikim, me pas ndikim unë tash e sa herë kam konkurruar isha pranuar deri më tani”, ka thënë Sahiti për KALLXO.com.

Nga ky konkurs është punësuar edhe Arlind Selani në pozitën e infermierit, e cili është vëllai i njërës nga kryeinfermieret e këtij spitalit, Arta Selanit.

Edhe Selani e mohon të ketë ndikuar në punësimin e vëllait të saj në pozitën e infermierit.

“Jo, nuk është e vërtetë se ka pasur ndonjë ndikim”, ka thënë Selani për KALLXO.com.

Ndërsa vetë Arlindi  thotë se ka konkurruar disa herë më herët për tu punësuar në spitalin e Vushtrrisë, po nuk ka arritur të pranohet.

“Jam punësuar në repartin e sterilizimit. Nuk është hera e parë që konkurroj këtu, është hera e tretë ose e katërt, motra nuk e ka pozitën për të ndikuar në punësimin tim”, thotë Selani për KALLXO.com.

Në pozitën e zyrtares për prokurorim në spitalin e Vushtrrisë është punësuar edhe Qëndresa Bllata e cila është vajza e doktorit Faik Bllata, i cili ka punuar në spitalin e Vushtrrisë.

Bllata ka thënë për KALLXO.com, se nëse do të ndikonte në punësimin e vajzës së tij, atë do ta bënte tash e shtatë vite.

“Jam i bindur se po të kishte qenë ndonjë kandidat që do ti kishte plotësuar kushtet sipas konkursit, vajza ime nuk do të pranohej”, ka thënë Bllata për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Qëndresa Bllatën e cila ka thënë se ajo ishte e vetmja kandidate e cila kishte dokumentacionin në rregull.

“Nuk ka pasur asnjë ndikim, po të kishte do të punësohesha tash e  sa vite. Unë kam qenë e vetmja kandidate dokumentet e të cilës kanë qenë të gjitha në rregull”, është shprehur Bllata.