Pula: Asnjë rast që mund të ndikojë në prishjen e procesit të votimit

Në katër komunat e veriut të Mitrovicës, po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme ku të drejtë vote kanë 57.983 persona në 87 vendvotime, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Ky proces është duke u mbikëqyrur edhe nga Koordinatorja Nacionale për zgjedhje, Laura Pula, Prokuroria Themelore e Mitrovicës e udhëhequr nga Kryeprokurori Shyqyri Syla, të cilët janë të angazhuar me prokurorë dhe staf mbështetës, për monitorimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Nga përcjellja e deritanishme e gjithë procesit të votimit në këto komuna, rezulton se deri më tani nuk ka pasur asnjë rast që mund të ndikoj në prishjen e procesit të votimit.

Koordinatorja Pula, njofton opinionin se do të reagojë në të gjitha rastet e incidenteve eventuale gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve, për çdo raportim apo keqpërdorim të votës.

Varësisht prej situatës se si rrjedhë procesi zgjedhor në këto komuna, do të njoftojmë të gjithë opinionin me kohë përmes komunikatave apo përmes konferencave për media.

Procesin e votimit të zgjedhjeve për kryetar të katër komunave është duke e përcjellë bashkërisht edhe zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arben Ismajli.