Publikohet raporti Vjetor i Monitorimit të Gjykatave nga BIRN dhe Internews Kosova

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova të enjten do ta publikojnë Raportin Vjetor të Monitorimit të Gjykatave për vitin 2018.

Ky raport fokus të veçantë ka rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave dhe rastet korrupsionit të monitoruara gjatë vitit 2018, por gjithashtu trajton problemet e tjera të trashëguara, të vëzhguara gjatë punës së monitoruesve në teren, thuhet në njoftim.

“Për më shumë, raporti thekson mungesën e efikasitetit në trajtimin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave, neglizhencën në trajtimin e rasteve të korrupsionit, dështimin për ta goditur krimin përmes konfiskimit të pasurisë si dhe shkeljet procedurale nga gjykatësit, prokurorët dhe palë tjera në procedurë gjyqësore të hasura nga monitoruesit tanë gjatë monitorimit të gjykatave në nivel të Republikës së Kosovës”, bëhet e ditur në njoftimin e BIRN dhe Internews Kosova.

Në konferencë do të flasin Skender Çoçaj, kryesues i KGJK-së; Bahri Hyseni, kryesues i KPK-së; Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë; Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit; Valdete Daka, gjyqtare e Gjykatës Supreme dhe Hasan Shala, Kryetar i Gjykatës së Apelit.

Konferenca do të mbahet në ambientet e Objektit A të Pallatit të Drejtësisë të enjten, më 23.05.2019, duke filluar nga ora 10:00.