Fotografia e postuar në "Facebook" nga Atdhetar Rexhepi së bashku me Drejtorin Rajonal të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi- Foto: Facebook

Publikohet fotografia e drejtorit të Policisë me të dyshuarin për falsifikim të lejeve të armëve

Atdhetar Rexhepi i arrestuar para disa muajsh nën dyshimin për falsifikim të lejeve të armëve ka publikuar me datën 12 qershor, një fotografi së me drejtorin rajonal të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi.

Fotografia e cila është publikuar gjatë ditës së djeshme (e martë) nuk saktëson kohën kur është realizuar por në të shihet Krasniqi dhe Rexhepi. Sipas një raportimi të publikuar në shkurt të këtij viti nga KALLXO.com, Atdhetar Rexhepi është nën hetime për dyshime për falsifikim të lejeve të armëve.

KALLXO.com ka siguruar fotografinë e cila është publikuar me datë 12 qershor në profilin personal të Atdhetar Rexhepit në “Facebook”.

Për të marrë sqarime për kohën dhe vendin kur është shkrepur kjo fotografi KALLXO.com ka kontaktuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, e cila ka sugjeruar që t`i drejtohemi Drejtorisë Rajonale të Prizrenit.

KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë së Rajonit të Prizrenit, Hazir Berisha.

“E kam pyetur drejtorin, më ka thënë se nuk e njeh fare dhe nuk i kujtohet se ku ka mundur ta ketë bërë atë fotografi. Drejtori është i afërt me njerëz dhe kushdo ka mundur të bëj një foto me të”, ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi Haziri.

Për të mësuar arsyen e takimit dhe fotografisë, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Atdhetar Rexhepin, i cili ka thënë se fotografia ishte bërë para një viti duke shtuar se atë e ka shpërndarë dje (12 qershor) si kujtim në “Facebook”.

“Kurrgjë unë e kom taku para një viti e gjysmë dhe e pash si kujtim që kam nejt me to, kurrgjë tjetër. Kjo foto është para një viti, kurrgjë tjetër, gjithçka ka qenë shoqërisht. Nuk ka asnjë telashe, për çfarë arsye po më pyet a mundem me ditë?”, tha Rexhepi për KALLXO.com.

Ai shtoi se nuk e ka ditur se Nexhmi Krasniqi është Drejtor Rajonal në Prizren.

“Për zotin e madh ajo foto është moti, vallahi nuk ka asnjë send tjetër, se me pas diçka me to nuk m’ kish ndodh aktakuza mu. Unë Nexhin (Nexhmi Krasniqin) as nuk e kam mik. E kam taku para stacionit pasha zotin, kam pas respekt për to edhe e kom bo një foto me to. As nuk e kom dit që është drejtor a komandant, tash prej teje po e marr vesh. Pasha zotin e kam taku në Prizren nuk e kam ditë që është drejtor”, shtoi Rexhepi në fund.

Ai po ashtu ka mohuar se ka falsifikuar lejet e armëve, duke thënë se dyshimet ndaj tij ka qenë e montuar.

Atdhetar Rexhepi, pas interesimit të KALLXO.com në lidhje me fotografinë, ka hequr këtë të fundit nga “Facebooku”.

Fotografia e postuar në “Facebook” me 12 qershor nga Atdhetar Rexhepi së bashku me Drejtorin Rajonal të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi- Foto: Facebook