Canadair - Foto: Wikipedia

Pse kundër zjarrit në Notre-Dame nuk u përdorën aeroplanët ‘Canadair’?

Në një reagim të tij derisa katedralja Notre-Dame ishte në flakë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shfaqi shpresën se për të shuar flakën e madhe do të dërgoheshin aeroplanët për fikjen e zjarreve “Canadair”.

Mirëpo këta aeroplanë nuk u përdorën për një arsye: ata janë shumë larg Parisit, dhe për të shkuar aty u duheshin së paku dy orë nëse do të fluturonin me shpejtësi rreth 300 km/h.

E siç raporton Le Point, këta aeroplanë nuk janë të njohur për shpejtësi.

Po ashtu, problem do të ishte edhe mbushja e tyre me ujë. Ata do të duhej të mbusheshin në ndonjë basen në rajonin e Parisit, pasi që në lumin Seine e kanë të pamundur për shkak se hapësira ndërmjet urave është shumë e vogël.

Le Point thekson se afër Parisit nuk ka as helikopterë të mëdhenj të pajisur për të transportuar ujë dhe për ta hedhur atë.

Po ashtu, përdorimi i “Canadair” nuk është i preferuar në mjedise urbane, pasi që rreziqet janë të mëdha nëse do të hidheshin prej tyre nga 6 tonelata ujë në afërsi të ndërtesave parisiene.