Pse Kosova i hapi dyert për riatdhesimin e kosovarëve të kthyer nga Siria?

Sonte në emisionin debatues “Click” të RTV21, ishte i ftuar Kreshnik Gashi nga BIRN , i cili në lidhje me kthimin e kosovarëve nga Siria ka thënë që Kosova i ka hapur dyert në bazë të informacioneve që janë sjellë nga shërbimet inteligjente dhe sigurisë të Qeverisë Amerikane.

“Një pjesë e vendeve botërore kanë refuzuar t’i riatdhesojnë ose të paktën kanë shprehur dyshimet e veta për krejt këtë proces të riatdhesimit. Kosova i ka hapur dyert e veta edhe e ka pranuar aeroplanin, bazuar në krejt ato çka kanë sjellë si informacione shërbimet inteligjente edhe shërbimet e sigurisë të Qeverisë amerikane”, tha ai.

Sipas Gashit, risitë në këtë rast janë dosjet që tregojnë saktësisht rolin e këtyre personave në zonat e luftës, ku kanë luftuar dhe deri ku.

“Ato çka janë risitë e këtij rasti është fakti që këta njerëz kanë ardhur secili me nga një dosje prej asaj çka kanë bërë në Siri edhe në Irak, nga një dosje që është përgatitë prej FBI dhe dihet saktësisht deri kur kanë luftuar, në cilin zonë dhe çka ka qenë përgjegjësia e tyre. Kjo është shumë e rëndësishme të përmendet në këtë punë”, tha ai.

Gashi gjithashtu tha se trajtimi i këtij rasti më ndryshe prej tjerëve, tregon që institucionet e Kosovës e kanë kuptuar që me dhunë nuk munden të socializohen këta njerëz.

“Po ashtu, fakti që kemi me pasur një trajtim ndryshe prej rasteve, të cilat kanë qenë deri tash. Në të gjitha rastet e kaluara, në momentin kur gratë janë rikthyer prej zonave të luftës, ato janë paraburgosur ose edhe janë dërguar në burg dhe kanë nisur procedurat penale menjëherë për to. Ndërsa, në këtë rast kemi një periudhë kohore të kalimit prej fazës së deportimit deri në momentin kur u është caktuar një masë e arrestit shtëpiak, jo paraburgim qysh është caktuar në rastet e tjera. Kjo na tregon pak për një nivel edhe një metodologji ndryshe të trajtimit të këtyre njerëzve për shkak se institucionet e Kosovës e kanë parë që vetëm me dhunë këta njerëz nuk mund të socializohen dhe të kalojnë në procesin e risocializimit”.

Si sfidë kryesore në të ardhmen, Gashi e konsideron se si do të trajtohen 70 fëmijët e kthyer nga këto zona.

“Ajo çka mua më brengos edhe që e shoh si sfidë në të ardhmen, është fakti që këta 70 fëmijë ku do të trajtohen dhe qysh do t’i trajtojnë mekanizmat tanë socialë“, tha Kreshnik Gashi.

Kthimi i kosovarëve nga Siria u bë përmes aeroportit “Adem Jashari”, i cili ishte i rrethuar nga forcat policore mbrëmjen e së premtes (19 prill) deri në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj në një konferencë të përbashkët me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin dhe Drejtorin e Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadanin, tha se janë kthyer gjithsej 110 persona./21Media