Pse Edi Rama nuk erdhi në përurimin e autostradës 'Arbën Xhaferi'?

Sot është përuruar Autostrada “Arbën Xhaferi”, e cila lidh Prishtinën me pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut.

Për këtë ngjarje, Zyra e kryeministrit Haradinaj kishte ftuar shumë mysafirë. Aty u panë dy homologët e Haradinajt, Dushko Markoviq nga Mali i Zi e Zoran Zaev nga Maqedonia e Veriut.

Kryeministri kosovar ftesë për ditën e sotme i kishte dërguar edhe homologut nga Shqipëria, Edi Rama.

Por, kryeministri shqiptar nuk e kishte konfirmuar fare ardhjen e tij.

Këtë për KALLXO.com e konfirmuan nga Zyra e kryeministrit.

Autoudhën “Arbën Xhaferi” në vitin 2014 e filloi ministri Fehmi Mujota i PDK-së, i cili nënshkroi kontratën me “Bechtel & Enka”, e vazhdoi ministri i LDK-së, Lutfi Zharku e i ra hise të përfundojë në kohën e ministrit nga AAK, Pal Lekaj.

Autostrada e re është e gjatë 65 kilometra, ndërsa ajo ka edhe urën më të gjatë në rajon, me 5 mijë e 700 metra dhe lartësi prej 83 metra.

Kjo rrugë lidh shtetin e Kosovës me Maqedoninë e Veriut.